Pas lajmit të publikuar më herët nga JOQ Albania për zjarrin që përfshiu një apartament në kompleksin "Kamelia" në Golem, kanë dalë detaje të reja mbi ngjarjen.
Sipas informacioneve zyrtare, zjarri shpërtheu rreth orës 20:30 në një apartament në katin e nëntë të një pallati në zonën e Shkëmbit të Kavajës, duke shkaktuar panik mes banorëve.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe të Mbrojtjes nga Zjarri, të cilat ndërhynë për të vënë flakët nën kontroll dhe për të shmangur përhapjen e tyre në apartamentet e tjera.
Si pasojë e tymit të dendur, gjashtë persona janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pasi kanë shfaqur vështirësi në frymëmarrje. Deri më tani nuk raportohet që ndonjëri prej tyre të jetë në rrezik për jetën.
Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta. Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit dhe për të përcaktuar se çfarë e shkaktoi zjarrin.
Më herët, JOQ Albania publikoi pamjet nga vendngjarja, ku shiheshin shtëllunga të dendura tymi që dilnin nga apartamenti i përfshirë nga flakët, ndërsa zjarrfikësit punonin për neutralizimin e zjarrit.