Pas fjalimeve të mbajtura përpara Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin e përnatshëm në rrugët kryesore të Tiranës, duke vijuar për natën e 64-t radhazi protestën kundër klasës politike.
Me flamuj kuqezi dhe pankarta në duar, protestuesit po përshkojnë rrugët kryesore e kryeqytetit, ndërsa në kor dëgjohen thirrjet "Rama, jepe dorëheqjen!", që kanë shoqëruar nisjen e marshimit të kësaj mbrëmjeje.
Prej 64 ditësh pa asnjë ndërprerje, qytetarët janë mbledhur çdo mbrëmje në qendër të Tiranës, duke e kthyer këtë në një nga protestat më të gjata qytetare të dekadave të fundit në vend. Organizatorët theksojnë se vazhdimësia dhe këmbëngulja e protestuesve janë dëshmi se pakënaqësia qytetare nuk është zbehur, por vazhdon të rritet.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e klasës politike që ka drejtuar vendin për 36 vitet e fundit, si dhe reforma të thella politike. Marshimi pritet të vijojë gjatë mbrëmjes në rrugët kryesore të kryeqytetit, i shoqëruar nga thirrje dhe slogane kundër qeverisë.