“Kam 9 muaj që e kërkoj dhe s’po e gjej dot”, babai kërkon ndihmë për të birin e zhdukur

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 02.08.2026, 21:43

Nëntë muaj pas zhdukjes së Elton Osmanit, familja e tij vijon të jetojë në ankth, pa asnjë informacion mbi fatin e 33-vjeçarit. Përballë mungesës së lajmeve, babai i tij ka zgjedhur t'u drejtohet shqiptarëve me një apel, me shpresën se dikush mund të ndihmojë në gjetjen e të birit.

Në videon e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, babai i Eltonit shprehet:

"Jam Ardjan Osmani. Kam nëntë muaj që po kërkoj djalin dhe nuk po e gjejmë dot. Enton Osmani quhet. Ka sot nëntë muaj djali që është zhdukur. Kush më ndihmon ta kërkoj djalin, do bënit mirë."

Sipas familjarëve, Elton Osmani, 33-vjeç dhe baba i një fëmije, u largua rreth nëntë muaj më parë nga Shkodra me destinacion Tiranën, por nuk u kthye më në shtëpi. Që prej asaj dite, familja nuk ka mundur të vendosë më kontakt me të dhe nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij.

Apeli në redaksinë tonë është përcjellë nga një mik i ngushtë i familjes, i cili tregon se prindërit e Eltonit janë në gjendje të rënduar emocionale dhe se çdo ditë shpresojnë të marrin një lajm për të.

Sipas tij, familjarët janë drejtuar disa herë në polici, por pretendojnë se nuk kanë marrë vëmendjen që prisnin dhe se deri më sot nuk kanë arritur të kenë asnjë rezultat konkret në kërkimet për 33-vjeçarin.

Familja u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, nëse kanë parë Elton Osmanin ose disponojnë qoftë edhe informacionin më të vogël që mund të ndihmojë në gjetjen e tij, të kontaktojnë në numrin e telefonit:

+355 68 474 4466

Çdo informacion, sado i vogël të duket, mund të jetë i rëndësishëm për të ndihmuar një familje që prej nëntë muajsh jeton mes dhimbjes dhe shpresës se një ditë do ta përqafojë sërish djalin e saj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit