“Mallkimi” që ka prekur Greqinë, shqiptarët tregojnë tmerrin: Kemi parë njerëz që digjeshin

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 02.08.2026, 20:12

Greqia vazhdon të përballet me një situatë dramatike, ndërsa zjarret masive që kanë përfshirë disa rajone të vendit po shkaktojnë viktima dhe dëme të mëdha. Temperaturat e larta dhe erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e flakëve, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë punën e ekipeve të emergjencës.

Bilanci paraprak flet për tre zjarrfikës që kanë humbur jetën gjatë operacioneve, ndërsa situata u përkeqësua edhe më shumë pas përplasjes së dy helikopterëve zjarrfikës gjatë ndërhyrjes nga ajri.

Mes banorëve që po përjetojnë nga afër këtë katastrofë ndodhen edhe dy shqiptarë, të cilët jetojnë në një nga zonat më të rrezikuara. Ata tregojnë se, edhe pse autoritetet u kanë kërkuar të evakuohen, kanë vendosur të qëndrojnë për të mbrojtur shtëpitë dhe pronat e tyre.

"Prej tre ditësh jemi mes flakëve. Shtëpinë e kam atje lart, shumë pranë zjarrit. Të gjithë banorët jemi bashkuar për të luftuar flakët. Ato po afrohen gjithnjë e më shumë dhe kjo pritet të jetë një natë shumë e vështirë. Policia na tha të largohemi, por ne nuk ikim. Nuk mund t'i lëmë shtëpitë tona," rrëfen njëri prej tyre.

Ai tregon se ishte pranë vendit ku u përplasën dy helikopterët zjarrfikës dhe përshkruan skena tronditëse.

"Isha aty kur ndodhi përplasja. Shkova menjëherë në vendngjarje dhe pashë pamje që nuk do t'i harroj kurrë. Flakë kudo, njerëz të djegur brenda… ishte një tragjedi," u shpreh ai për mediat.

Ndërkohë, autoritetet greke vijojnë luftën me dhjetëra vatra aktive, ndërsa banorëve në zonat e rrezikuara u bëhet vazhdimisht thirrje të zbatojnë urdhrat e evakuimit për të shmangur humbje të tjera në njerëz.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit