Dy helikopterë zjarrfikës u përplasën në ajër gjatë operacionit për shuarjen e një zjarri të madh pyjor në zonën e Psathas, në perëndim të Athinës, duke shkaktuar një tragjedi që u mori jetën dy anëtarëve të ekuipazhit.
Pamjet dramatike të aksidentit, që po qarkullojnë në rrjet, tregojnë momentin kur dy helikopterët afrohen në lartësi të ulët gjatë ndërhyrjes. Siç shihet dhe në video, rotori kryesor i helikopterit që fluturonte më poshtë godet pjesën e poshtme të helikopterit tjetër, duke bërë që njëri prej mjeteve të rrëzohet dhe të shpërthejë në flakë. Helikopteri tjetër arrin të lëshojë ngarkesën me ujë dhe të largohet nga zona.
Shërbimi Zjarrfikës i Greqisë konfirmoi se aksidenti ndodhi gjatë operacioneve ajrore për përballimin e zjarrit në Psathas. Pas përplasjes u aktivizuan menjëherë ekipet e kërkim-shpëtimit. Dy anëtarët e ekuipazhit të njërit helikopter humbën jetën, ndërsa ekuipazhi i helikopterit tjetër u lokalizua dhe u shpëtua.
Ngjarja ndodh në një moment kritik për Greqinë, e cila po përballet me disa vatra të mëdha zjarri të favorizuara nga temperaturat e larta dhe erërat e forta. Mbi 100 banesa janë shkatërruar nga flakët në veriperëndim të Athinës, ndërsa autoritetet kanë urdhëruar evakuime edhe në ishullin turistik të Kefalonisë.
Shkaqet e përplasjes mbeten ende nën hetim dhe autoritetet greke nuk kanë bërë të ditur nëse aksidenti lidhet me gabim njerëzor, kushtet e vështira të operimit apo faktorë të tjerë. Hetimet pritet të hedhin dritë mbi një nga aksidentet më të rënda ajrore gjatë operacioneve të shuarjes së zjarreve në Greqi.