Tifozët nuk e harrojnë djalin e tyre, Birmingham City ngre në këmbë stadiumin për Jude Bellingham

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 01.08.2026, 12:24

Jude Bellingham përjetoi një rikthim plot emocione në stadiumin "St Andrew's", ku tifozët e Birmingham City i rezervuan një pritje madhështore. Mesfushori i Real Madridit u rikthye në klubin ku hodhi hapat e parë në futbollin profesionist për të ndjekur nga afër miqësoren e Birminghamit ndaj Barcelonës.

Sapo u shfaq në stadium, mijëra tifozë u ngritën në këmbë dhe nisën të këndonin në kor: "He's one of our own" ("Ai është njëri prej nesh"), një këngë që prej vitesh shoqëron emrin e Bellinghamit dhe simbolizon lidhjen e fortë mes lojtarit dhe klubit ku u formua.

Atmosfera u bë edhe më e veçantë kur Bellingham u ngrit për të përshëndetur tribunat, duke duartrokitur tifozët dhe duke u dërguar puthje nga larg. Reagimi i tij u prit me ovacione edhe më të mëdha, ndërsa pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale.

Bellingham debutoi me ekipin e parë të Birmingham City në moshën vetëm 16-vjeçare, duke u kthyer shpejt në një nga talentet më premtues të futbollit anglez. Pas vetëm një sezoni me klubin, ai u transferua te Borussia Dortmund, ndërsa më pas bëri hapin e madh drejt Real Madridit, ku është shndërruar në një nga mesfushorët më të mirë në botë. Në shenjë vlerësimi për kontributin e tij, Birmingham City vendosi të tërhiqte fanellën me numrin 22, një nderim i rrallë për një lojtar kaq të ri.

Pritja e jashtëzakonshme tregoi se, pavarësisht suksesit në arenën ndërkombëtare, Jude Bellingham mbetet për tifozët e Birmingham City "njëri prej tyre", një djalë i akademisë që nuk është harruar kurrë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit