Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas Kuvendit të partisë.
Abdixhiku tha se në LDK fjala e fundit i takon gjithmonë anëtarësisë, duke theksuar se, ndonëse kishte besuar se Kuvendi ishte i panevojshëm.
“Kam besuar se ky Kuvend ishte i panevojshëm, i dëmshëm e i ngutshëm. Sot, ai i përket së shkuarës. E pranoj me përulësi vendimin e delegatëve dhe e marr atë si një përgjegjësi të re për ta ruajtur me fanatizëm kahjen e LDK-së”, ka shkruar ai.
Abdixhiku tha se verdikti më i rëndësishëm i Kuvendit ishte se LDK mbetet e anëtarësisë, ndërsa u bëri thirrje të gjithë anëtarëve që të punojnë për bashkimin e partisë.
“Tani, më ndihmoni të gjithë, të bashkojmë këtë shtëpi; dhe nga këtu të bashkojmë dhe gjithë Kosovën. Ky është roli ynë si LDK e vërtetë”, u shpreh ai.
Sipas tij, LDK ka nevojë për unitet, ndërsa Kosova për stabilitet institucional, institucione funksionale dhe një politikë që vendos interesin shtetëror mbi çdo llogari tjetër.
“Mbrëmë mbyllëm një kapitull. Sot fillojmë punën, së bashku. Për LDK-në e anëtarësisë. Për Republikën e popullit tonë”, përfundoi Abdixhiku.