LDK në ditën e vendimit: 355 delegatë votojnë sot për të ardhmen politike të Lumir Abdixhikut

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 30.07.2026, 08:46

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban sot Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ku 355 delegatët e partisë do të vendosin me votë për fatin politik të Lumir Abdixhikut, duke përcaktuar nëse ai do të vazhdojë ta udhëheqë partinë apo do të shkarkohet nga posti i kryetarit.

Kuvendi është thirrur pasi janë përmbushur të gjitha procedurat statutare dhe është verifikuar kërkesa e delegatëve për mbajtjen e tij. Sipas LDK-së, Sekretariati i Përgjithshëm ka konstatuar se janë plotësuar kushtet e parapara në Statut, pasi kërkesa është mbështetur nga të paktën një e treta e delegatëve të Kuvendit.

“Nga ky proces është konstatuar se është përmbushur kriteri statutar prej së paku një të tretës (1/3) të delegatëve të Kuvendit, të nevojshëm për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm”, thuhej në njoftimin e partisë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vendosur që Kuvendi i Jashtëzakonshëm të mbahet më 30 korrik, me fillim nga ora 18:00.

“Kryetari i LDK-së, në ushtrim të kompetencave dhe detyrimeve të përcaktuara me Statutin e partisë, ka marrë vendim për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas përfundimit të procedurave statutare të verifikimit të kërkesës së paraqitur nga delegatët e Kuvendit”, thuhet në njoftim.

Nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit u dorëzuan në mesin e muajit korrik. Pas nisjes së këtij procesi, Abdixhiku pezulloi negociatat për formimin e institucioneve deri në përfundimin e procesit të votëbesimit ndaj tij.

Nëse Abdixhiku arrin ta fitojë besimin e delegatëve dhe mbetet në krye të LDK-së, ai pritet t’u rikthehet negociatave për formimin e institucioneve, duke pasur parasysh se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është caktuar për 6 gusht.

LDK ka bërë të ditur se i gjithë procesi do të zhvillohet në përputhje me Statutin e partisë, parimet demokratike, transparencën institucionale dhe respektimin e vullnetit të delegatëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit