Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me incidentin e rëndë të ndodhur të hënën në vendpunishten e “Vëllezërit Asllani” në rrugën A, ku një person rreth të 20-ave humbi jetën, ndërsa një tjetër mbeti i lënduar .
Sipas Prokurorisë, rreth orës 15:00 prokurori kujdestar është njoftuar për rastin dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me Policinë e Kosovës, Njësinë Rajonale të Hetimeve dhe Inspektoratin e Punës për të kryer veprimet e nevojshme hetimore.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë angazhuar ekspertë të pavarur të sigurisë në punë dhe një ekspert i inxhinierisë mekanike. Po ashtu janë siguruar prova materiale, janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe është kryer ekzaminimi i vendit të ngjarjes nga njësia e forenzikës.
Prokuroria bëri të ditur se si pasojë e aksidentit ka humbur jetën E.Sh., ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Lidhur me rastin janë iniciuar hetime për veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Bazuar në dyshimet fillestare dhe provat e mbledhura deri në këtë fazë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar tre persona: A.Sh., nën dyshimin për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, si dhe B.S., në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë ndërtuese, dhe E.E., në cilësinë e përfaqësuesit të kompanisë investuese të projektit, nën dyshimin për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.