Mrekullia e një fshati…

Shkruar nga: A Naçi | Publikuar më: 23.03.2017, 23:23

Nga Marin Mema

Stëbleva është vetëm 34 kilometra nga qyteti i Librazhdit, një destinacion i jashtëzakonshëm turistik, që ende nuk njihet sa ç’duhet. Vitet e fundit vëmendja është kthyer fort në këtë pjesë, por tashmë ajo duhet bërë e njohur edhe për publikun e gjerë.

Rruga kryesore hyrëse në fshat mban emrin e themeluesit të shtetit modern turk, Mustafa Qemal Ataturk. Për disa kjo mund të jetë e çuditshme, por për banorët jo. Ka shumë historianë e studiues që paraqesin dokumente e fakte se origjina e Qemal Ataturkut është pikërisht nga kjo zonë. Sipas banorëve, paraardhësit e tij vijnë nga Cankajt, një familje me pozitë të gjerë e pronare jo e vogël tokash, që ka jetuar dikur këtu. Jo më kot ata të tregojnë edhe një pjesë të këtyre pronave, që ndodhen më së shumti në këmbët e malit të Osojit. Paraardhësit e Ataturkut jetonin në këtë vend, pranë një çezme, pronë e tyre dhe e restauruar së fundmi, sërish nga banorët. Ata thonë se Cankajt e kishin shtëpinë në Steblevë e më pas familja u zhvendos në Koxhaxhik, në Dibër të Madhe, e në fund në Selanik, ku dhe lindi Ataturku.

Stëbleva, pjesë e krahinës së Gollobordës, është djegur plot tri herë nga serbët e bullgarët e megjithatë fshati nuk u shua. Ai vjen sot me dy imazhet e tij: njëri ai i dhuratës së pakursyer natyrore, tjetri ai i boshësisë që duhet të zëvendësohet nga turistët e shumtë. Shtëpitë pritëse nuk mungojnë, ato derdhen me ëmbëlsinë e natyrës.

Pozicioni gjeografik i Stëblevës është për t’u pasur zili, jo thjesht si pasojë e natyrës. Fshati është në kufi me Maqedoninë dhe vetëm 23 kilometra e ndajnë nga qyteti i Strugës. Nëse lidhja do të bëhej e mundur përmes një aksi të denjë kjo të shërbente në mënyrë të jashtëzakonshme për lidhjen e fshatit e zonës në tërësi me pjesën tjetër.

Më se 60 për qind e Parkut Kombëtar “Shebenik-Jabllanic” gjendet pikërisht në territorin e kësaj komune të dikurshme, duke i dhënë një pamje të rrallë. Zona ka boronica, trëndafil të egër, sherbelë, lule shtogu, salep e sa e sa bimë medicinale, që janë një burim të ardhurash për banorët, që përpiqen kështu të përballojnë vështirësitë e të ndërtojnë jetën e tyre në këtë vend.

Stëbleva ka gjithçka, ka historinë jo të pakët; edhe pse shqiptarët janë gjithmonë modestë në promovimin e saj; ka natyrën mahnitëse që shkrihet me qiellin, ka pozicionin gjeografik; kaq afër në kilometra nga rruga nacionale në Librazhd e po aq afër nga Struga e mbi të gjitha ka njerëzit, që me mikpritjen e tyre të bëjnë të rikthehesh gjithmonë, me shpresën se diçka do të mund të ndryshojë.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit