Dalin pamje nga sherri i mbrëmshëm në Tiranë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 25.07.2026, 22:10

JOQ Albania ka siguruar pamje të reja nga konflikti i raportuar mbrëmjen e djeshme në rrugën "Jordan Misja" në Tiranë, ku, sipas dëshmive të mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, dy grupe personash u përfshinë në një përplasje të dhunshme pranë lokalit "Don".

Videoja tregon praninë e disa automjeteve të Policisë së Shtetit në vendngjarje, ndërsa në një moment shihet një efektiv që ndjek me vrap një person. Nga pamjet duket se ai arrin të largohet, ndërsa pak çaste më vonë një person tjetër shoqërohet nga policët dhe futet në një automjet të policisë.

Sipas dëshmive të qytetarëve, konflikti nisi pas një debati për parkimin e një automjeti dhe më pas u përshkallëzua në një sherr mes dy grupeve. Dëshmitarët pretendojnë se në përplasje u përfshinë mbi 30 persona dhe se janë përdorur shkopinj, leva hekuri, thika e sende të tjera të forta. Ata kanë deklaruar gjithashtu se kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri dhe se janë dëmtuar disa automjete, si edhe ambientet e lokalit pranë të cilit nisi konflikti.

Megjithatë, këto pretendime nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur nga pamjet e siguruara nga JOQ Albania.

Pas publikimit të pamjeve dhe raportimeve për ngjarjen, Policia e Shtetit reagoi zyrtarisht, duke bërë me dije se ka proceduar në gjendje të lirë pesë shtetas. Sipas policisë, në rrugën "Jordan Misja", për motive të dobëta, tre prej tyre kanë goditur, kanosur dhe u kanë thyer xhamat e lokalit një shtetasi, ndërsa dy të tjerët kanë dëmtuar xhamin e automjetit të njërit prej të përfshirëve në konflikt.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit vijojnë, ndërsa deri më tani policia nuk ka bërë me dije nëse janë konstatuar përdorim armësh zjarri apo persona të lënduar nga ngjarja.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit