Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar në Tiranë, i cili pretendon se është përballur me një sjellje fyese dhe agresive nga një drejtues mjeti, ndërsa në automjet ndodheshin bashkëshortja e tij shtatzënë dhe dy vajzat e tyre të mitura.
Sipas denoncuesit, ngjarja ka ndodhur në rrugën "Ferit Xhajko". Ai thotë se konflikti nisi për një situatë në trafik, kur drejtuesi i mjetit me targa AA 014 XC zbriti nga makina dhe iu afrua duke përdorur një gjuhë të rëndë fyese.
Në videon e dërguar në redaksinë tonë dëgjohet shoferi teksa i drejtohet qytetarit me fjalët: "Je në kundravajtje, po. Hajt xhiro k***n tim, të q**** robt", ndërsa në të njëjtën kohë bën edhe gjeste vulgare me duar.
Denoncuesi shprehet se momenti ka qenë veçanërisht i rëndë, pasi gjithçka ka ndodhur në sy të bashkëshortes së tij shtatzënë dhe dy vajzave të tyre të mitura, të cilat, sipas tij, u traumatizuan nga sjellja e drejtuesit të mjetit.
"Ky person ka sharë dhe ka ofenduar në sy të dy vajzave të mia të mitura dhe bashkëshortes sime shtatzënë, duke u shkaktuar traumë. Ju lutem postojeni këtë trimoshin. Për çështje rruge ndodhin këto, pastaj pyesim pse vriten njerëzit. Sipas meje duhet të ketë qenë tapë", shkruan ai.
Qytetari tregon se pas incidentit është paraqitur në Komisariatin nr. 4 për të bërë kallëzim për rastin.
"Jam te Rajoni 4 në pritje për të bërë denoncimin", shprehet ai në mesazhin e dërguar redaksisë.
JOQ Albania publikon këtë denoncim duke ruajtur të drejtën e çdo pale për të dhënë versionin e saj të ngjarjes. Nëse Policia e Shtetit ose drejtuesi i mjetit dëshirojnë të reagojnë lidhur me këtë incident, reagimi i tyre do të publikohet i plotë.