Vrau ish-vjehrrin, Refit Buzi i jep fund jetës pas orësh negociatash me RENEA-n

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 24.07.2026, 16:56

Ka marrë fund në mënyrë tragjike operacioni i policisë për kapjen e 35-vjeçarit Refit (Nertil) Buzi, autorit të dyshuar të vrasjes së ndodhur mëngjesin e sotëm në Roskovec. Pas disa orësh negociatash me forcat speciale RENEA, ai dyshohet se i ka dhënë fund jetës me armë zjarri.

35-vjeçari ishte rrethuar nga forcat e policisë në zonën e ish-fushës së helikopterëve, në fshatin Kurjan, ku qëndronte i mbyllur brenda automjetit të tij. Gjatë gjithë operacionit, negociatorët tentuan disa herë ta bindnin të dorëzohej, por ai refuzoi çdo thirrje të autoriteteve.

Pas orësh të tëra përpjekjesh për ta bindur të vetëdorëzohej, Buzi dyshohet se ka qëlluar veten me armë zjarri brenda automjetit.

Menjëherë në vendngjarje mbërritën autoambulanca dhe forca të shumta policie, ndërsa grupi hetimor ka nisur veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Autoritetet pritet të dalin me një njoftim zyrtar mbi rrethanat e sakta të incidentit.

Më herët gjatë ditës, 35-vjeçari dyshohet se shkoi në banesën e familjes së ish-të fejuarës në fshatin Vidhisht, ku vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plaka, dhe plagosi ish-vjehrrën, Bejlere Plaka.

Pas krimit, ai mori me forcë ish-të fejuarën, Rozalinda Plaka, të cilën e mbajti për disa orë, përpara se ajo të lirohej gjatë operacionit të policisë.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet dhe dinamikën e këtij krimi të rëndë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit