Tensionet para Kuvendit nuk janë ndalur as gjatë zhvillimit të seancës së fundit parlamentare të këtij sesioni. Pas përplasjeve me policinë, përdorimit të ujit dhe gazit ndaj protestuesve, si edhe shoqërimeve të disa qytetarëve, revolta ka vijuar edhe ndaj automjeteve që hynë e dolën nga ambientet e Parlamentit.
Në videon që mbërriti në redaksinë tonë shihet momenti kur një automjet del nga parkimi pranë Kuvendit dhe "bombardohet" me vezë nga protestuesit, mes thirrjeve kundër mazhorancës dhe klasës politike.
Që prej orës 08:30, qindra qytetarë u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej dhe më pas marshuan drejt Parlamentit, në një protestë që u shoqërua me tensione të forta. Në disa momente protestuesit tentuan të afrohen pranë hyrjes së Kuvendit, ndërsa policia ndërhyri për t'i ndalur, duke përdorur ujë dhe gaz. Gjatë incidenteve pati edhe shoqërime e arrestime.
Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, protesta nuk u shpërnda. Qytetarët vijuan të qëndrojnë pranë Kuvendit dhe të shprehin revoltën e tyre, ndërsa hedhja e vezëve ndaj automjeteve që dilnin nga godina u kthye në një nga momentet më të komentuara të ditës.
Ndërkohë, organizatorët kanë bërë thirrje që protesta të vijojë edhe mbrëmjen e sotme, në orën 19:00, kur në Tiranë do të mbahet protesta e 54-t radhazi kundër klasës politike.