Garazhi i pallatit kthehet në punishte, banorët: Po rrezikojmë jetën çdo ditë!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22.07.2026, 18:32

Banorët e një pallati në Tiranë kanë ngritur shqetësimin për një aktivitet që, sipas tyre, po zhvillohet prej kohësh në ambientet e garazhit të përbashkët të godinës, duke krijuar probleme për sigurinë dhe jetesën e përditshme.

Në denoncimin e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, qytetari tregon se një hapësirë që duhet të shërbejë si garazh po përdoret si punishte saldimi, lyerjeje me bojë dhe prerjeje materialesh me fresibël. Sipas tij, tymi, aroma e bojërave dhe zhurmat e vazhdueshme e bëjnë të vështirë hyrjen dhe daljen nga garazhi, ndërsa banorët ndihen të rrezikuar nga aktiviteti që zhvillohet aty.

“Ka momente që nuk guxon të hysh në garazh. Disa prej nesh jemi familjarë me fëmijë nën 1 vjeç. Nuk nxjerrim dot makinat nga garazhi”, shprehet denoncuesi.

Banorët thonë se kanë bërë ankesa pranë Bashkisë së Tiranës, Policisë së Shtetit, IKMT-së, aplikacionit “Tirana Ime” dhe përmes platformës e-Albania, por pa marrë një zgjidhje konkrete. Sipas tyre, inspektorët kanë konstatuar situatën në terren, por më pas përgjigjja që kanë marrë ka qenë se ambienti figuron si garazh për sende personale dhe jo si punishte.

Madje, banorët kanë hartuar edhe një peticion ku kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të aktiviteteve si saldimi, lyerja me bojë, manipulimi i bombolave të gazit dhe çdo veprimtari tjetër që mund të krijojë rrezik zjarri, ndotje apo dëmtim të pronës së përbashkët.

Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përkatëse për verifikimin e aktivitetit që zhvillohet në këtë hapësirë dhe marrjen e masave nëse konstatohet shkelje e rregullave të bashkëpronësisë apo e standardeve të sigurisë.

Mesazhi i denoncuesit:

"Kemi bërë disa ankesa për një punishte në garazh. Bëhen saldime, lyerje me bojë dhe prerje me fresibël. Ka momente që nuk guxon të hysh në garazh. Disa jemi familjarë me fëmijë nën 1 vjeç dhe nuk nxjerrim dot makinat. Jam ankuar në bashki, polici, IKMT, te aplikacioni Tirana Ime dhe në e-Albania. Kanë ardhur, e kanë parë rastin, por ende nuk është zgjidhur."

Pas publikimit të lajmit, në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur edhe reagimi i vajzës së pronarit të punishtes, e cila ka dhënë versionin e saj mbi situatën.

Sipas saj, aktiviteti do të largohet nga ambienti në fjalë, duke theksuar se vendimi është marrë pas presioneve dhe debateve të vazhdueshme me banorët.

Ajo kundërshton pretendimet se aktiviteti ka paraqitur rrezik për jetën e banorëve, duke u shprehur se, nëse tymi i saldimit dhe aroma e bojërave do të ishin vërtet të rrezikshme, personi i parë që do të ishte prekur do të ishte babai i saj, i cili punon çdo ditë në atë ambient.

Sipas saj, familja ka qenë në dijeni të shqetësimit të banorëve, por për shkak të një situate të rëndë familjare, ku një i afërm ishte i sëmurë rëndë dhe ndërroi jetë, nuk ka pasur mundësi të zhvendosej menjëherë në një ambient tjetër. Ajo shton se gjatë kësaj periudhe babai i saj është përpjekur që proceset e saldimit dhe lyerjes me bojë t'i kryejë në një tjetër vend, për të shmangur konfliktet me banorët.

Në reagimin e saj, ajo pretendon gjithashtu se ankesat kanë nisur fillimisht nga dy pronarë biznesesh që operojnë në të njëjtin kompleks, të cilët, sipas saj, janë shqetësuar nga prania e punishtes dhe më pas kanë përfshirë edhe banorët e tjerë në këtë konflikt.

Në përfundim, ajo thekson se, pavarësisht se familja nuk pajtohet me akuzat e ngritura ndaj tyre, kanë vendosur të largohen nga ambienti për t'i dhënë fund situatës.

Reagimi i plotë i saj:

Pershendetje JOQ. Une jam goca e zoterise qe keni publikuar lajmin ne lidhje me punishten ne garazhdin e pallatit ku keni cilesuar se po u rrezikohet jeta banoreve. Se pari dua ta nis me lajmin qe babi pas shume presioneve, kercenimeve etj do te largohet prej aty. Pra kete po e them qe banoret qe kane bere denoncimin te ju te informohen (nqs nuk jane informuar akoma) qe do e kalojne rrezikun per jeten. Se dyti dua t'ju sqaroj qe ky rreziku i supozuar per jeten nuk ekziston sepse nqs pluhuri i saldimit dhe aroma e bojes do ishin vdekjeprurese i pari qe do ishte helmuar dhe do i rrezikohej jeta do ishte babi im.

Ne kemi qene ne dijeni te ketij shqetesimi te banoreve, por per shkak te nje familjari shume te semure prej muajsh qe ne fund nderroi jete nuk e kishim mundesine per te gjetur nje ambjent tjeter. Ne kemi folur me disa nga banoret dhe kemi rene dakort qe do largoheshim dhe pse padrejtesisht, por donim kohen tone per tu zhvendosur. Gjate kesaj kohe babi eshte munduar qe saldimet dhe lyerjet me boje ti beje ne ambjent tjeter per te shmangur debatet e vazhdueshme.

Se fundi dua te sqaroj edhe kete gje. Ne do kishim qene mirekuptues per pjesen e pluhurave te saldimit dhe aromes se bojrave nqs keta banore do kishin kontakt te vazhdueshem me ate ambjent, por te thone qe po na rrezikohet jeta se po parkojme makinat 5 min me duket gje absurde. Gjithsesi ne e dime nga kane filluar keto ankesa. Kane filluar nga dy pronar biznesesh aty qe mesa duket ecin me moton "vetem ne duhet te te na lulezoj biznesi ne kete vend dhe cdo gje qe na bezdis e denoncojme" dhe keta ingranuan edhe banoret e tjere te pallatit per te krijuar nje problem pa pasur nje problem. Keta pronar biznesesh duke pasur kontakt me magazinat qe kane aty ne garazhd ndoshta me te drejte u bezdisen nga punishtja e babit tim i cili nqs do kishte ligesine qe kane ata ne zemer edhe ai mund te ankohej per bizneset e atyre, por qe nuk e beri, por zgjodhi thjeshte te largohet. Gjithsesi po e le me kaq.

A edhe dicka se tani po e lexoja artikullin perseri. Doja ti thosha te gjithe atyre prinderve me femije nen 1 vjec "sa merakoseni per shendetin e tyre ne nje ambjent qe ju thjeshte parkoni makinen, pra ju bashke me femijet thjeshte beni rrugen nga makina ne ashensor dhe anasjelltas, shqetesohuni me shume kur pini duhan ne prani te tyre apo kur uleni ne kafene nen tymin e duhanit". Gjithsesi sic ju thash nuk ka pas asnjehere asnje arsye per ti rrezikuar jeta askujt dhe sidomos ajo pjesa "manipulim i bomblave te gazit". I vetmi manipulim qe ka ndodhur ketu eshte manipulimi i historise.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit