Vapa ekstreme që ka përfshirë Shqipërinë këtë të hënë ka arritur pikun, duke sjellë temperatura përvëluese në disa zona të vendit. Sipas meteorologëve, termometri në mesditë në Tiranë ka shënuar deri në 45 gradë Celsius në diell, duke e bërë këtë ditën më të nxehtë të regjistruar gjatë këtij viti.
Situata më ekstreme është shënuar në qarkun e Beratit, ku temperaturat kanë arritur rreth 47 gradë në diell, ndërsa në hije kanë prekur vlerën e 42 gradëve Celsius.
Meteorologët parashikojnë se dita e martë do të sjellë një ulje të lehtë të temperaturave, por lagështira e lartë do të bëjë që ndjesia e të nxehtit të mbetet po aq e fortë, duke vijuar kushtet e vështira atmosferike.
Një ndryshim më i ndjeshëm pritet nga dita e premte, kur temperaturat do të pësojnë rënie dhe vendi do të përfshihet nga mot më i freskët. Sipas parashikimeve, nuk do të mungojnë edhe reshje të dendura shiu në formën e rrebesheve, pas ditëve të gjata me vapë ekstreme.
Megjithatë, kjo freski pritet të jetë e përkohshme, pasi sinoptikanët paralajmërojnë rikthimin e një tjetër vale të nxehti afrikan që pritet të prekë sërish vendin.
Ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike po ndikojnë ndjeshëm në klimën e Shqipërisë, duke sjellë më shumë ditë me temperatura ekstreme dhe net më të nxehta. Episode të tilla përvëluese po bëhen gjithnjë e më të shpeshta gjatë muajve të verës, duke rritur rrezikun për shëndetin dhe mjedisin.