Trafikanti shqiptar i drogës shmang dëbimin nga Britania, gjykata: Bashkëshortja nuk do ta përballonte dot

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 19.07.2026, 19:40

Një gjykatë britanike ka vendosur të mos dëbojë një shtetas shqiptar të dënuar për trafik droge, duke argumentuar se largimi i tij do të kishte pasoja të rënda për bashkëshorten dhe familjen e tij.

Bëhet fjalë për Dardan Hoxhajn, 31 vjeç, i cili ishte dëbuar nga Britania e Madhe në vitin 2018, por u rikthye ilegalisht vetëm një muaj më vonë. Pavarësisht të kaluarës së tij kriminale, ai do të lejohet të qëndrojë në vend pas një vendimi të Gjykatës së Emigracionit.

Hoxhaj hyri për herë të parë ilegalisht në Britani në vitin 2017 dhe më pas u dënua me tre vite burg për përfshirjen në një operacion të trafikut të drogës me vlerë rreth 750 mijë paund. Pas vuajtjes së dënimit ai u dëbua në Shqipëri, por arriti të rikthehej fshehurazi në territorin britanik.

Për disa vite ai qëndroi jashtë vëmendjes së autoriteteve, derisa paraqiti kërkesa për të legalizuar qëndrimin e tij. Pas refuzimit fillestar nga Ministria e Brendshme britanike, ankesa e tij u pranua nga gjykata.

Gjatë seancës gjyqësore u argumentua se bashkëshortja e Hoxhajt vuan nga çrregullimi kompleks i stresit post-traumatik (PTSD), ankthi dhe depresioni, si pasojë e trafikimit të mëparshëm, ndërsa kthimi në Shqipëri do t'i shkaktonte vështirësi të konsiderueshme.

Sipas dëshmive të paraqitura në gjykatë, Hoxhaj luan një rol të rëndësishëm në familje, duke ndihmuar bashkëshorten gjatë krizave të ankthit, duke u kujdesur për djalin e tyre që vuan nga astma, si dhe duke kryer punët e përditshme të shtëpisë, përfshirë gatimin dhe pastrimin.

Gjykata vlerësoi se largimi i tij do të kishte pasoja disproporcionale për familjen, duke vendosur që ai të mos dëbohet nga Britania e Madhe, pavarësisht dënimit të mëparshëm për trafik droge.

Sipas raportimeve të The Sun, vendimi ka ngjallur debat në Britani, pasi Hoxhaj ishte dënuar më herët për krime të lidhura me narkotikët dhe ishte rikthyer ilegalisht në vend pas dëbimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit