Slloveni Slavko Vinčić do të jetë arbitri i finales së Kupës së Botës 2026 mes Argjentinës dhe Spanjës, një nga ndeshjet më të rëndësishme në futbollin botëror.
Emërimi i tij nga FIFA ka rikthyer në vëmendje një episod të vitit 2020, kur arbitri u ndalua përkohësisht gjatë një operacioni policor në qytetin e Bijelinës, në Bosnje dhe Hercegovinë.
Operacioni u zhvillua në një vilë ku autoritetet po hetonin një rrjet të dyshuar prostitucioni. Gjatë kontrollit, policia sekuestroi kokainë, armë zjarri, jelekë antiplumb dhe para cash, ndërsa në vendngjarje u ndaluan dhjetëra persona.
Edhe Vinčić u shoqërua në polici dhe u mor në pyetje, pasi ndodhej në ambientet ku u zhvillua operacioni. Megjithatë, pas verifikimeve ai u lirua pa u ngritur asnjë akuzë, ndërsa autoritetet nuk e lidhën me aktivitetin kriminal që po hetonin.
Vetë arbitri deklaroi në atë kohë se ndodhej në Bosnje për një takim pune dhe kishte pranuar një ftesë për drekë, pa pasur dijeni për natyrën e aktivitetit që zhvillohej në vend.
"Përfundova aty rastësisht. Ishte gabimi më i madh që kam bërë. Nuk kam pasur asnjë lidhje me personat që u arrestuan," deklaroi ai pas lirimit.
Pavarësisht polemikave që shoqëruan ngjarjen, karriera e Vinčić nuk u ndërpre. Ai vijoi të arbitrojë në kompeticionet më të rëndësishme të futbollit evropian, përfshirë finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2024, ndërsa këtë mbrëmje do të drejtojë edhe finalen e Kupës së Botës 2026.