Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim nga plazhi "Sunce", në Gjirin e Lalzit, duke ngritur shqetësimin se roja e plazhit nuk po kryen funksionin për të cilin është vendosur.
Në videon e mbërritur në redaksi, roja i plazhit shihet i pozicionuar në kullën e vrojtimit, ndërsa qytetari pretendon se vëmendja e tij është e përqendruar te monitorimi i çadrave dhe shezlongëve, e jo te siguria e pushuesve në det.
Sipas denoncuesit, në kulmin e sezonit turistik, kur plazhet frekuentohen nga qindra pushues, roli kryesor i rojës duhet të jetë mbikëqyrja e zonës së larjes dhe ndërhyrja në rast rreziku, e jo kontrolli i pajisjeve të biznesit.
Qytetari shpreh dyshimin se interesi tregtar po vendoset mbi sigurinë e pushuesve, duke theksuar se një situatë e tillë mund të ketë pasoja serioze në rast emergjence.
Ai kërkon që strukturat përgjegjëse dhe administruesit e plazhit të sqarojnë mënyrën se si organizohet shërbimi i rojës së plazhit dhe të garantojnë që siguria e qytetarëve të jetë prioritet.
JOQ Albania mbetet e hapur për një reagim nga administruesit e plazhit "Sunce" dhe institucionet përgjegjëse lidhur me pretendimet e ngritura në këtë denoncim.