Irani godet bazën ajrore të SHBA në Jordani, vriten dy ushtarë amerikanë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 18.07.2026, 20:03

Përshkallëzohet më tej konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Dy ushtarë amerikanë janë vrarë dhe një tjetër rezulton i zhdukur pas një sulmi me raketa balistike iraniane ndaj një baze ajrore amerikane në Jordani.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), sulmi ndodhi të shtunën, kur të paktën dy raketa balistike iraniane goditën bazën ajrore Muwaffaq Salti, ku janë të dislokuara trupa dhe avionë luftarakë amerikanë.

Në një deklaratë zyrtare, CENTCOM konfirmoi se dy efektivë amerikanë humbën jetën gjatë mbrojtjes së bazës nga sulmet me raketa dhe dronë, ndërsa një tjetër ushtarak vazhdon të rezultojë i zhdukur.

Po ashtu, katër ushtarakë amerikanë u transportuan për trajtim në spitale në Jordani. Autoritetet ushtarake amerikane bënë të ditur se ata janë jashtë rrezikut për jetën dhe janë larguar nga spitali, ndërsa disa efektivë të tjerë me lëndime të lehta janë rikthyer në detyrë.

Pamje që qarkulluan në rrjetet sociale tregojnë momentin pas goditjes së bazës, ku re të dendura tymi ngrihen menjëherë pas shpërthimeve.

Ky është rasti i parë që forcat amerikane pësojnë humbje në njerëz që nga rifillimi i luftimeve mes SHBA-së dhe Iranit dy javë më parë. Me këtë sulm, numri i ushtarakëve amerikanë të vrarë që nga nisja e konfliktit ka arritur në 16.

Sulmi pritet të rrisë më tej tensionet në Lindjen e Mesme, ndërsa konflikti mes Uashingtonit dhe Teheranit vazhdon të zgjerohet me goditje të ndërsjella ndaj objektivave ushtarake dhe strategjike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit