Drejtoresha kumarxhie fuste në çanta paratë dhe ikte, dëshmon punonjësa e postës

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 18.07.2026, 18:33

Kanë dalë detaje të reja nga hetimet për skandalin financiar në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, ku Gjykata e Durrësit vendosi masën e sigurisë "arrest me burg" për ish-drejtoreshën Elizabeta Mataj, ndërsa la në "arrest shtëpie" shefen e financës Valbona Doni dhe arkëtaren Paola Dana. Të treja dyshohen se kanë përvetësuar rreth 69 milionë lekë të rinj, ose mbi 700 mijë euro.

Në dosjen hetimore është përfshirë edhe dëshmia e një arkëtareje, identiteti i së cilës nuk bëhet publik. Ajo shpjegon se transferimi i fondeve nga Durrësi drejt degëve të Shijakut dhe Krujës ishte një praktikë e zakonshme prej vitesh.

Sipas saj, gjatë muajve janar dhe shkurt 2026, Drejtoria e Përgjithshme transferoi rreth 22 milionë lekë në Drejtorinë e Durrësit për likuidime. Ndërsa në periudhën prill-maj u kryen mandate pagese me vlerë rreth 56 milionë lekë, si dhe transferta të tjera prej 10 milionë dhe 3 milionë lekësh për degën e Krujës. Arkëtarja pretendon se të gjitha këto fonde janë dërguar drejt degëve të Shijakut dhe Krujës me urdhër të drejtoreshës Elizabeta Mataj.

Në dëshminë e saj, ajo tregon se Mataj i kishte shpjeguar se sporteli "Nazeri" kishte tejkaluar limitin e lejuar për transportin e parave, ndaj fondet transportoheshin prej saj, bazuar në urdhra verbalë të drejtoreshës.

Arkëtarja hedh edhe akuza të rënda, duke deklaruar se Mataj merrte thesin me para nga zyra e arkës, e çonte në zyrën e saj dhe i rinumëronte vetë. Madje, sipas saj, në disa raste ish-drejtoresha i vendoste paratë në çantën personale dhe largohej menjëherë nga institucioni.

Ajo rrëfen se në fillim të qershorit 2026, pas problemeve të konstatuara me likuidimet në ASHK, zbuloi në sistem se ishin prerë mandate pagesash pa dijeninë e saj dhe për këtë kishte njoftuar menjëherë drejtoreshën.

Arkëtarja pretendon gjithashtu se në disa mandate pagesash nënshkrimet e saj dhe të kolegeve nuk ishin autentike. Ajo përmend konkretisht mandatet e datave 7 maj, 12 maj dhe 21 maj 2026, për të cilat thotë se mbanin firma që nuk ishin të tyre dhe se dokumentet kishin mbetur edhe pa firmën e drejtoreshës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit