Një apel për ndihmë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania për një burrë që, sipas raportimeve të qytetarëve, prej pesë ditësh qëndron në afërsi të godinës së Albcontrol, pranë Aeroportit Ndërkombëtar "Nënë Tereza" në Rinas.
Sipas denoncimeve të mbërritura në redaksi, bëhet fjalë për një person që identifikohet si Urim Panavia, ndërsa një biletë avioni që ai mban me vete tregon se ka mbërritur nga Torino në Tiranë më 13 korrik 2026. Qytetarët thonë se që prej asaj dite ai nuk është larguar nga zona dhe vazhdon të qëndrojë aty, në temperatura të larta dhe pa asnjë send personal.
Punonjës të zonës tregojnë se i kanë dhënë herë pas here ujë dhe ushqim, por kjo është vetëm një ndihmë e përkohshme. Sipas tyre, burri duket i çorientuar dhe u ka thënë se është nga Burreli. Njëri prej qytetarëve që ka komunikuar me të pretendon se ai ka përmendur se ka kaluar paralizë dhe se kishte tentuar të hynte në aeroport, por nuk ishte lejuar.
Një raportim i dytë i mbërritur sot në redaksi konfirmon se burri vazhdon të ndodhet në të njëjtin vend edhe pas pesë ditësh. Qytetari që dërgoi fotot shprehet se shpreson që publikimi i rastit të ndihmojë për të gjetur familjarët ose persona që e njohin.
JOQ Albania u bën thirrje familjarëve të Urim Panavisë, si edhe kujtdo që e njeh këtë person dhe ka informacion për të, të kontaktojnë sa më parë me të ose me institucionet përkatëse, në mënyrë që ai të marrë ndihmën dhe kujdesin që mund t'i nevojitet.
Njëkohësisht, u bëjmë thirrje edhe institucioneve përgjegjëse që të verifikojnë këtë rast dhe të ndërhyjnë për t'i ofruar ndihmë, nëse është e nevojshme. Askush nuk duhet të mbetet i vetëm dhe pa përkujdesje në kushte të tilla.