Temperaturat e larta dhe vapa përvëluese që ka përfshirë vendin gjatë këtyre ditëve të korrikut po ndikohen ndjeshëm jo vetëm te njerëzit, por edhe te gjallesat e tjera.
Një moment mjaft i veçantë dhe domethënës është regjistruar sot në qytetin e Lushnjes, duke pasqyruar më së miri situatën e jashtëzakonshme të motit.
Në pamjet që po i publikojmë për herë të parë, shihet një zog i vogël i cili ka gjetur një mënyrë origjinale për t'i mbijetuar vapës ekstreme.
Ai është filmuar poshtë një tubi që shkarkon ujin e kondensimit të kondicionerëve, duke shfrytëzuar pikat e ujit për t'u freskuar dhe për të shuar etjen.
Kjo video e siguruar nga redaksia jonë shërben edhe si një apel i heshtur për të gjithë qytetarët që të nxjerrin enë me ujë në ballkone apo ambiente të hapura, për të ndihmuar shpendët dhe kafshët e rrugës në këto ditë kritike.