“Më keni mua këtu”, studentja e Akademisë së Sigurisë ngre dyshime për favorizime: “Nuk kaluam se s’kishim mik”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 18.07.2026, 17:44

Një studente e vitit të tretë në Fakultetin e Hetimit pranë Akademisë së Sigurisë i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim, ku ngre pretendime për parregullsi dhe favorizime gjatë procesit të formimit në Kolegjin Profesional të Formimit Policor.

Sipas saj, ditën e djeshme u mbyll faza teorike e këtij procesi, ndërsa gjatë zhvillimit të tij është vënë re, sipas pretendimeve të saj, një tolerancë e pazakontë ndaj një grupi kursantësh.

Studentja pretendon se disa ditë më parë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një takim me disa prej kursantëve, ku, sipas saj, i ka përgëzuar individualisht dhe u ka thënë se "më keni mua këtu". Sipas denoncueses, kjo ka krijuar bindjen se ata gëzonin mbështetje të drejtpërdrejtë.

Më tej, ajo pretendon se brenda Akademisë flitet se një pjesë e këtyre kursantëve janë futur fillimisht me mbështetje nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe më pas kanë pasur mbështetjen e drejtuesve të Akademisë. Sipas saj, kjo ka bërë që ata të mos penalizohen gjatë procesit të formimit. Studentja pretendon gjithashtu se ka dëgjuar se mes tyre ka persona që janë pranuar pavarësisht se kanë pasur probleme me ligjin, por nuk sjell prova për këtë pretendim.

Nga ana tjetër, ajo shprehet se vetë, së bashku me studentë të tjerë, nuk arriti të kalojë provimin e fundit të fakultetit dhe beson se kjo nuk lidhet me përgatitjen akademike, por me mungesën e mbështetjes apo "miqve", siç e cilëson ajo.

"Nuk mbetëm sepse nuk ishim të aftë, por sepse nuk kishim 'mik'. Të krijohet ndjesia se merita dhe përgatitja nuk vlejnë përballë lidhjeve dhe ndërhyrjeve", shkruan studentja në mesazhin e saj.

Në përfundim të denoncimit, ajo shpreh shqetësimin se situata të tilla, nëse janë të vërteta, cenojnë besimin te meritokracia dhe te institucionet që kanë për detyrë të formojnë punonjësit e ardhshëm të Policisë së Shtetit.

JOQ Albania publikon këto pretendime në interes të informimit publik dhe mbetet e hapur për reagimin e Akademisë së Sigurisë, Rektorit Skënder Hita, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ilir Proda apo çdo institucioni tjetër të përmendur, për të paraqitur qëndrimin e tyre lidhur me këto pretendime.

Denoncimi i plotë:

Përshëndetje JOQ Jam një studente e vitit të tretë në Fakultetin e Hetimit pranë Akademisë së Sigurisë. Arsyeja pse po ju shkruaj është për të ngritur një shqetësim lidhur me atë që po ndodh në Akademinë e Sigurisë. Ditën e djeshme u përmbyll procesi teorik për Kolegjin Profesional të Formimit Policor. Gjatë gjithë këtij procesi është vënë re një tolerancë e jashtëzakonshme ndaj një grupi kursantësh. Madje, disa ditë më parë, Skënder Hita ka shkuar personalisht t'i takojë një e nga një, duke i përgëzuar dhe duke u thënë se "më keni mua këtu", gjë që ka krijuar bindjen se ata gëzonin mbështetje të drejtpërdrejtë. Flitet se shumica e tyre janë futur fillimisht me mbështetjen e Ilir Prodës dhe më pas janë marrë nën mbrojtjen e Skënder Hitës. Si pasojë, askush prej tyre nuk është penalizuar, pasi kanë pasur mbështetjen e pedagogëve, të Drejtorit të Përgjithshëm dhe të Rektorit të Akademisë. Madje, sipas informacioneve që kam, në radhët e tyre ka edhe persona të pranuar pavarësisht se kanë pasur probleme me ligjin. Ndërkohë, unë dhe shumë studentë të tjerë mbetëm në provimin e fundit të fakultetit, jo sepse nuk ishim të aftë, por sepse nuk kishim "mik". Kjo të krijon ndjesinë se merita dhe përgatitja nuk vlejnë përballë lidhjeve dhe ndërhyrjeve. Është vërtet zhgënjyese që ne, të cilët kemi punuar me përkushtim për të mbajtur me dinjitet gradën dhe uniformën, shohim se të tjerë ecin përpara falë miqve dhe mbështetjeve që kanë. E them me bindje se me keta qe dolen diten e djeshme është bela sepse mjafton një hatermbetje ndaj tyre dhe nuk dihet ku mund të përfundosh. Sepse miqesia e tyre peshon më shum se grada jonë. Shpresoj ta postoni per te treguar se arsimi ne Shqiperi eshte ne dorën e krimit dhe jo te meritës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit