Në emër të "modernizimit të shërbimeve publike", shteti ka shpikur një skemë brilante: Nëse doni të ndërtoni hotele në dy nga copëzat më të shtrenjta të tokës shqiptare Palasa dhe Dhërmiu, duhet së pari t’i ndërtoni policisë, Zjarrfikëses dhe Gardës një shtëpi të re. Është konsideruar një shkëmbim "fisnik": Ju na bëni zyrat, ne ju japim bregdetin.
Korporata e Investimeve ka hapur këtë tender të ri publik ndërkombëtar projektin e quajtur “Qendra e Shërbimeve Publike Palasë”.
Sipas projektit, një investitor privat do të marrë përsipër projektimin dhe ndërtimin e dy strukturave hoteliere në prona shtetërore në Palasë dhe Dhërmi. Në këmbim të së drejtës për zhvillimin e këtyre objekteve turistike, investitori do të financojë ndërtimin e një kompleksi të ri të shërbimeve publike pranë rrethrrotullimit të Palasës.
Marrëveshja parashikon gjithashtu që, pas përfundimit të punimeve, një pjesë e sipërfaqes së zhvilluar t’i kalojë në administrim Korporatës, si pjesë e kompensimit për përdorimin e pronës shtetërore. I gjithë projekti është ndërtuar mbi modelin e sipërmarrjes dhe përfshin tre zona të veçanta zhvillimi: një hapësirë të dedikuar për funksione publike dhe dy zona të destinuara për hoteleri dhe shërbime turistike.
Autoritetet e paraqesin projektin si një mënyrë për të kombinuar investimet private me krijimin e infrastrukturës publike në një nga zonat me zhvillimin më të shpejtë turistik në jug të vendit.
Projekti, i cili kërkon të transformojë rrethrrotullimin e Palasës në një qendër operative, duket si një ëndërr për ata që duan të investojnë, por edhe si një dhuratë e pashmangshme për biznesin që ka 7 milionë euro në xhep.
Për të shmangur çdo dyshim, shteti ka vendosur që hoteleria nuk duhet të jetë thjesht një biznes privat, por një bashkëpronësi ku shteti merr "taksën e tij të suksesit" prej 35%. Pra, nëse ndërton një hotel, një pjesë e tij i takon shtetit, mbase për ta përdorur si zyra të reja, apo ndoshta si një monument i gjallë i partneritetit publik-privat që po betonizon çdo metër katror të mbetur të bregdetit tonë.
Dhe për ta bërë gjithçka të duket sa më "ndërkombëtare", nuk mjafton vetëm paraja. Duhet një masterplan, një juri ndërkombëtare dhe konkurrencë, si për të na bindur se nëse një hotel do të ngrihet mbi truallin e stacionit të vjetër të policisë apo pikës kufitare të Dhërmiut, kjo ndodh vetëm sepse ishte "në interes të qytetarëve". Ky është vizioni më i ri i zhvillimit... Aty ku dikur ishte siguria publike, nesër do të jetë luksi privat, me bekimin e një korporate që po e bën bregdetin të duket më shumë si një tabelë shahu për investitorët sesa si një pasuri kombëtare.
Afati i fundit është 10 shtatori. Deri atëherë, mbetet të shohim se cilët janë ata "fatlumë" që kanë mjaftueshëm forcë financiare për të përballuar këtë aventurë të bukur mes policisë dhe hoteleve me pesë yje.
Sidoqoftë, një gjë është e sigurt: nëse keni ndërmend të shkoni për pushime në Palasë vitet e ardhshme, mos u habisni nëse hoteli juaj do të ketë pamje nga rrethrrotullimi i stacionit të policisë... në fund të fundit, siguria është luksi i ri.