Ndërsa miliona euro nga fondet publike u gjetën me urgjencë për skenën, ndriçimin dhe spektaklin e Kanye West, një qytetar që ka çuar nënën për gastroskopi në Tiranë thotë se është përballur me një tjetër lloj “spektakli”: mure të dëmtuara nga lagështira dhe njolla të mëdha myku mbi dhomën ku trajtohen pacientët.
Denoncimi ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, i shoqëruar edhe me një fotografi nga ambientet e Gastroenterologjisë në Ambulancën Qendrore, pranë 9-katësheve, në katin e dytë.
Në pamjen e dërguar dallohen qartë suvaja e rënë, lagështira që ka përfshirë një pjesë të murit dhe njollat e errëta pranë tavanit. Poshtë tyre ndodhet shtrati ku, sipas qytetarit, pacientët shtrihen për të kryer ekzaminimin e stomakut.
Qytetari tregon se e kishte dërguar nënën për të kryer “sondën e stomakut”, por gjendja e dhomës e kishte tronditur. Përtej aspektit estetik, prania e lagështirës dhe mykut në një mjedis ku marrin shërbim pacientët ngre pikëpyetje serioze për higjienën dhe mirëmbajtjen e strukturave publike shëndetësore.
Por, me sa duket, emergjencat në Shqipëri maten çuditshëm. Për Kanye West u gjetën 400 milionë lekë, ose rreth 4.2 milionë euro, nga fondet publike, pasi qeveria argumentoi se koncerti duhej mbështetur për shkak të përfitimeve të pritshme ekonomike.
Për një mur të lagur, një tavan të mykur dhe një dhomë ekzaminimi që të mos u ngjajë ambienteve të braktisura, duket se “emergjenca” ende nuk ka mbërritur.
Miliona për një natë koncerti, ndërsa pacientët shtrihen nën myk. Kanye e mori skenën, qytetarët morën lagështirën. Tani mbetet të shihet nëse institucionet përgjegjëse do të reagojnë për kushtet e denoncuara apo do të presin që myku të japë koncertin e radhës.
“Përshëndetje JOQ, si jeni? Ju lutem, ruani anonimitetin. Sot çova nënën tek Ambulanca e Madhe për të kryer sondën e stomakut. Ajo që pashë në vendin ku kryhet procedura ishte një tmerr i vërtetë. Kishte shumë lagështirë dhe myk të tmerrshëm. Sikur paratë që u përdorën për Kanye West të shkonin për rregullimin e spitaleve, do të ishte shumë mirë. Kjo ka ndodhur sot në mëngjes, në dhomën e Gastroenterologjisë, ku kryhen sondat, në Tiranë, tek Ambulanca Qendrore pranë 9-katësheve, në katin e dytë. Është tmerr. Pacientët shtrihen për të kryer sondën mes mykut. Faleminderit.”
![]()