Dita e 47-të e protestës, studentja: Diplomat tona, pasaporta për rrugët e Europës!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 16.07.2026, 21:27

Një moment simbolik është regjistruar mbrëmjen e sotme gjatë ditës së 47-të të protestës qytetare në Tiranë, ku një studente zgjodhi të ngrejë zërin për vështirësitë me të cilat, sipas saj, përballet rinia shqiptare pas përfundimit të studimeve.

Protestës së kësaj të shtune iu bashkuan edhe shumë studentë, të cilët marshuan krah qytetarëve në protestën kundër sistemit politik që, sipas tyre, prej 36 vitesh nuk u ka ofruar të rinjve mundësi reale për të ndërtuar të ardhmen në vend.

Duke marrë fjalën para qytetarëve të mbledhur përpara Kryeministrisë, studentja u ndal te zhgënjimi i shumë të rinjve që, pavarësisht viteve të studimit, e shohin diplomën si një biletë për emigrim dhe jo si një mundësi për të ndërtuar jetën në Shqipëri.

"Duam të japim një mesazh simbolik për të gjithë universitetet e Shqipërisë. Jemi lodhur me diplomat tona që janë pasaporta për rrugët e Europës. Akti ynë i hedhjes së kapeles nuk tregon se ne nuk e duam arsimin, por që diploma në Shqipëri zëvendësohet shumë kollaj me një zarf me lekë. Rinia është lodhur nga të njëjtat figura politike të ricikluara prej 36 vitesh. Tani është radha jonë. Rroftë rinia e lirë!", u shpreh ajo.

Menjëherë pas fjalimit, studentja hoqi kapelen e diplomimit dhe e hodhi në tokë si një akt simbolik proteste, ndërsa brohoriti: "Pa rini, nuk ka Shqipëri!"

Ky moment pasqyroi pakënaqësinë e një pjese të të rinjve ndaj realitetit me të cilin përballen pas diplomimit. Me gjestin simbolik të hedhjes së kapeles, studentja kërkoi të përcillte mesazhin se problemi nuk është arsimi, por mungesa e mundësive dhe perceptimi se meritokracia shpesh zëvendësohet nga favorizimet dhe korrupsioni.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit