Tualeti ku merren mostrat e urinës në Poliklinikën e Specialiteteve Berat, në gjendje të rënduar

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 14.07.2026, 20:09

Një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, këtë herë nga Poliklinika e Specialiteteve në Berat, ku një qytetar ka dërguar pamje nga tualeti që përdoret për marrjen e mostrave të urinës, të cilat më pas dorëzohen në laboratorin ngjitur.

Nga videot e mbërritura në redaksi, ambienti paraqitet në një gjendje të rënduar higjieno-sanitare. Muret janë të dëmtuara nga lagështira, me suva të rënë, njolla të shumta myku dhe amortizim të dukshëm, ndërsa tubacionet e ekspozuara dhe gjurmët e lagështisë lënë të kuptohet se problemi vazhdon prej kohësh.

"Doja të ndaja këto pamje nga Poliklinika e Specialiteteve Berat. Ky është tualeti ku duhet të marrim mostrën e urinës për ta çuar në laboratorin ngjitur," shkruan qytetari që ka dërguar videon.

Qytetarët ngrenë shqetësimin se një ambient i tillë nuk përputhet me standardet minimale të higjienës që duhet të ofrojë një institucion shëndetësor, aq më tepër kur bëhet fjalë për një hapësirë ku pacientët marrin mostra biologjike për analiza laboratorike.

Banorët u bëjnë thirrje autoriteteve shëndetësore dhe drejtuesve të institucionit të ndërhyjnë sa më parë për rehabilitimin e ambienteve dhe garantimin e kushteve të denja për pacientët.

JOQ Albania pret edhe një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse lidhur me këtë denoncim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit