Ndërsa Gjykata Kushtetuese ka kthyer për rishqyrtim masën e sigurisë për Erion Veliajn, lëvizje të papritura procedurale në Gjykatën e Lartë po ngrenë pikëpyetje të forta mbi paanshmërinë e procesit. Kur SPAK e akuzon kryebashkiakun e Tiranës për 13 vepra penale ku peshojnë akuzat për korrupsion dhe pastrim parash, fati i tij duket se ka rënë në dorën e një trupe të re gjykuese, ku spikat emri i gjyqtarit Ilir Panda.
Ky i fundit, sipas të dhënave, ndodhet në një situatë të pastër të konfliktit të interesit, të cilën e ka pranuar edhe vetë zyrtarisht në të kaluarën.
Sipas rregullave të përcaktuara qartë në Kodin e Procedurës Penale, kërkesat penale të të njëjtit person duhet të shqyrtohen në vijimësi nga i njëjti kolegj penal. Deri më sot, kjo procedurë është respektuar: të gjitha kërkesat e Erion Veliajt janë shqyrtuar nga trupa e përbërë nga:
Megjithatë, sapo Gjykata Kushtetuese detyroi Gjykatën e Lartë të rishqyrtojë çështjen dhe të arsyetojë nëse masa e "arrestit në burg" është vërtet e vetmja masë e përshtatshme për Veliajn, skenari ndryshoi tërësisht.
Në mënyrë të papritur, gjyqtaret Albana Boksi dhe Sokol Binaj janë larguar nga kjo çështje. Ata janë zëvendësuar nga gjyqtarët Sander Simoni dhe Ilir Panda, ndërsa i vetmi që ka mbetur nga trupa e vjetër është Genti Shala. Ky ndryshim i papritur i "rregullave të lojës" në mes të procesit ka nxitur dyshime të forta mbi prapaskenat e këtij vendimi.
Përfshirja e gjyqtarit Ilir Panda në këtë trupë të re mbart me vete një problematikë të rëndë ligjore dhe morale.
Më parë, kur Gjykatës së Lartë iu desh të shqyrtonte një kërkesë të Ajola Xoxës, bashkëshortes së Erion Veliajt, gjyqtari Ilir Panda dha dorëheqjen nga çështja. Argumenti i tij zyrtar asokohe ishte i prerë: kishte njohje familjare me të. Dorëheqja u pranua dhe çështja kaloi te një trupë tjetër.
Sot, kur bëhet fjalë për të vendosur për fatin e bashkëshortit të Ajola Xoxës, Erion Veliajt, gjyqtari Ilir Panda nuk ka ndërmarrë të njëjtin hap. Ai nuk ka dhënë dorëheqjen, duke injoruar faktin se "njohja familjare" dhe konflikti i interesit që ai vetë ka pranuar me shkrim, mbeten po aq ekzistente sa më parë.
Hapi i radhës për SPAK: Në rrethanat kur vetë gjyqtari nuk tërhiqet, i takon Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të ndërhyjë urgjentisht duke dorëzuar kërkesën zyrtare për përjashtimin e Ilir Pandës nga trupa gjykuese, me qëllim garantimin e një procesi të paanshëm.
Dinamika me të cilën po lëvizin procedurat sugjeron se gjithçka po përgatitet me nxitim. Ekziston një rrezik real që, nën qetësinë e sezonit veror dhe vapës përvëluese të gushtit, kur vëmendja e opinionit publik është e shpërndarë, Gjykata e Lartë të marrë në heshtje vendimin që mund të sjellë lirimin e kryebashkiakut të Tiranës nga qelia.
Pikërisht për këtë arsye, sot më shumë se kurrë, vëmendja e medias, e opinionit publik dhe e monitoruesve ndërkombëtarë duhet të jetë e përqendruar te Gjykata e Lartë për të parandaluar çdo tentativë për devijim të drejtësisë.