Kamza “Flet Dibrançe”: Kip Suli i fal 102.6 milionë lekë Demir Borishit të BONUS SH.P.K., vartësi i Ulajt

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 14.07.2026, 10:43

Në Bashkinë Kamëz duket se tenderët kanë mësuar të flasin dibrançe. Pas kompanisë së Arben Çelës, së cilës Rakip Suli i fali mbi 2 miliardë lekë, këtë herë radha i erdhi BONUS Sh.p.k., e cila përfitoi 102.6 milionë lekë. Kompania shfaqet edhe në konsorciume me rrjetin e Bashkim Ulajt në zonën e Mërturit, aty ku oligarku ka shtrirë prej kohësh kthetrat mbi investimet publike.

Në Kamëz duket se receta funksionon. Mjafton të jesh në rrethin e duhur dhe torta e tenderëve ndahet pa shumë surpriza.

BONUS Sh.p.k. fitoi tenderin për “Ndërtim Rrugët Blloku Paskuqan, Kamëz Bathore”, me një fond limit prej 102.6 milionë lekësh pa TVSH, ndërsa kontrata u firmos më 26 qershor 2026 me vlerën e saktë 102,627,632 lekë, praktikisht në kufirin e fondit limit, siç i ka hije një “fitoreje” patriotike.

Në procedurë u paraqitën 19 kompani. Shumica ishin aty vetëm për numër. Oferta më e lartë erdhi nga LIQENI VII sh.p.k. e Ramazan Kalisë, edhe ky nga Dibra, me 135,951,228.52 lekë, një çmim që e tejkalonte fondin limit me komoditet. Kalia është veteran i tenderëve dhe di mirë si të luajë me numrat. Kur nuk ka interes real për të fituar, ai lejon veten të paraqesë oferta të tilla, që shërbejnë më shumë si dekor për fasadën e konkurrencës. Gjithsesi, pjesëmarrja e tij vlen për statistikë.

Dhe, për të mos mbetur pa pjesën e tij, në të njëjtën ditë Kalia fitoi një tjetër tender të madh nga e njëjta bashki, për rrugë në Bathore, me fond limit afro 1.3 miliardë lekë.

Oferta më e ulët reale erdhi nga COMPANY RIVIERA 2008 sh.p.k., e lidhur me familjen e ish-deputetit Ndue Kola, me vetëm 55,090,465 lekë, por as kjo nuk u shpall fituese. Vetëm pak ditë më parë, më 16 qershor 2026, e njëjta kompani kishte fituar tenderin për “Blloku Valias, Grupi 1”, me një kontratë me vlerë 172,262,930.82 lekë. Oligarku Kola nuk dukej i interesuar për këtë procedurë; copën e tij e kishte marrë tashmë.

Nga ana tjetër, L.T.E CONSTRUCTION e Artur Caushajt mori pjesë në procedurë dhe siguroi tenderin për “Blloku Valias, Grupi 2”, me vlerë 151,435,729 lekë. Edhe Ndregjoni sh.p.k. e Xhetan Ndregjonit, po ashtu nga Dibra, mori pjesën e vet të plaçkës. Të gjitha këto kompani figurojnë si “konkurrente”, por fituesit e vërtetë janë gjithmonë të njëjtët.

BONUS Sh.p.k. – profili i plotë i fituesit serial

Kompania ka NIPT K72412009E dhe administrator Fuat Borishin. Ajo u regjistrua në vitin 2007 me një kapital themeltar prej vetëm 100,000 lekësh, të ndarë në mënyrë të barabartë mes katër ortakëve me origjinë nga Dibra: Fuat Borishi (25%), Mentor Nuzi (25%), Safet Allaraj (25%) dhe Sait Borishi (25%). Demir Borishi shfaqet si figura kryesore, me një pjesëmarrje prej rreth 34% në strukturën e zotërimeve.

Adresa zyrtare është në Tiranë (Rruga Jordan Misja, Zona Kadastrale 8330, Pasuria 2/60-N11, Volumi 30, Faqe 105, 1000), por interesat dhe lidhjet kryesore janë në Kamëz. Kjo kompani “familjare”, me kapital minimal, ka marrë qindra milionë lekë në tendera publikë. Agjencia e Prokurimit Publik e ka përjashtuar për gjashtë muaj nga e drejta për të fituar kontrata për shkelje në procedurat e prokurimit, por kjo nuk e ka penguar të vazhdojë të përfitojë kontrata publike.

Ky tender për Bllokun Paskuqan i ka të gjitha elementet klasike të skemës: fond limit 102.6 milionë lekë, 19 kompani në letër, por vetëm një rrjet në praktikë, oferta fiktive si ajo e Liqeni VII me 135.95 milionë lekë, oferta më e ulët e skualifikuar prej 55 milionë lekësh nga Riviera 2008 dhe një kompani fituese me kapital qesharak, pronarë nga Dibra dhe lidhje të forta.

Bashkia Kamëz ka marrë “flamur të kuq” korrupsioni edhe për disa nga këta tendera, por kjo nuk e ndaloi procesin.

Ndërsa qytetarët e Kamzës presin rrugë të mira në Paskuqan dhe Bathore, paratë vazhdojnë të përfundojnë te BONUS Sh.p.k. dhe rrjeti i saj. Me shifra të qarta, me data të qarta dhe me pronarë të qartë. Ky është realiteti i tenderit të firmosur më 26 qershor 2026, një tjetër “fitore” për patriotët që dinë ta luajnë lojën.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit