Zjarri i madh që përfshiu këtë mbrëmje kodrën mbi Gjirin e Llamanit ka ngritur pikëpyetje të forta, pasi rezulton se pikërisht në të njëjtën zonë është planifikuar ndërtimi i një resorti turistik me hotel luksoz dhe dhjetëra vila.
Qeveria ka miratuar pak kohë më parë lejen e zhvillimit për projektin “Amantes”, i cili parashikon ndërtimin e një resorti multifunksional në një sipërfaqe prej rreth 101 mijë metrash katrorë. Projekti do të zhvillohet nga biznesmeni Arben Muçobega.
Dokumentacioni tregon se resorti është planifikuar pikërisht në kodrën që u përfshi nga flakët. Projekti parashikon një hotel me 5 yje, 50 vila, apartamente, restorante dhe ambiente të tjera turistike të shpërndara përgjatë gjithë shpatit të kodrës.
Zyrtarisht nuk ka asnjë provë që zjarri ka qenë i qëllimshëm dhe autoritetet ende nuk kanë dalë me një shkak përfundimtar të rënies së tij. Megjithatë, fakti që në të njëjtin territor pritet të zhvillohet një investim i përmasave të mëdha ka shtuar dyshimet dhe debatet.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse hetimet e institucioneve do të zbardhin origjinën e flakëve dhe nëse raporti përfundimtar do të sqarojë nëse kemi të bëjmë me një zjarr aksidental apo me një ngjarje të qëllimshme.
Ndërkohë, pyetja që po ngrenë shumë qytetarë është e thjeshtë: A është rastësi që digjet pikërisht kodra ku është planifikuar të ndërtohet një resort me hotel dhe 50 vila?