Pasi shteti dha 4.2 mln € për Kanye West, QSUT kërkon donacione nga qytetarët

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 13.07.2026, 21:13

Ndërsa qeveria shqiptare ka vendosur të financojë me plot 4.2 milionë euro koncertin privat të reperit të famshëm amerikan Kanye West, spitali më i madh në vend, Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" (QSUT), u është drejtuar qytetarëve me thirrje për donacione pasi i mungojnë pajisjet bazë mjekësore.

Denoncimi është bërë publik nga gazetari Osman Stafa, i cili ka nxjerrë dokumentin zyrtar ku vetë QSUT pranon dështimin për të siguruar mjetet e punës dhe u kërkon ndihmë qytetarëve të thjeshtë.

"QSUT u bën thirrje qytetarëve shqiptarë që të bëjnë donacione që të blejnë pajisje mjekësore. Ndërsa shteti shqiptar financon 4 miliardë lekë një koncert privat. A ka absurditet më të madh? Spitali u kërkon lekë qytetarëve, shteti i çon lekët te spektakli. E frikshme" – shkruan Stafa në reagimin e tij.

Çfarë kërkon QSUT? Nga kompjuterët te defibrilatorët dhe respiratorët

Në dokumentin zyrtar të publikuar, spitali universitar bën thirrje për mbështetje urgjente me një listë të gjatë pajisjesh jetike për jetën e pacientëve. Mes tyre kërkohen:

  • Pajisje zyre: 28 kompjuterë, printerë, fotokopje multifunksionale.
  • Pajisje jetëshpëtuese: Respiratorë, laringoskopë, defibrilatorë, monitorë pacienti.
  • Pajisje kirurgjikale dhe diagnostikuese: Elektrobisturi, videolaringoskopë, aparate EKG, mikroskop kirurgjikal, Holter ritmi dhe Holter presioni.

Sipas njoftimit të vetë spitalit, këto pajisje janë të domosdoshme për përmirësimin e shërbimit dhe rritjen e cilësisë së kujdesit ndaj pacientëve, duke ia lënë kështu në dorë "mëshirës" dhe xhepave të publikut atë që duhej të ishte detyrë e shtetit.

Qeveria mbron spektaklin: "Investim për turizmin"

Nga ana tjetër, vendimi i qeverisë për t'i dhënë 4.2 milionë euro koncertit privat të Kanye West ka ndezur një debat të ashpër kombëtar.

Kryeministri Edi Rama e ka mbrojtur me forcë këtë financim, duke pretenduar se bëhet fjalë për një "investim" strategjik që do të promovojë Shqipërinë ndërkombëtarisht dhe do të sjellë të ardhura të mëdha përmes turizmit. Sipas Ramës, ky event "do ta fusë Shqipërinë në një tjetër hartë globale".

Përplasja politike: Rama dhe Gonxhja kallëzohen në SPAK

Ky përdorim i fondeve publike nuk ka kaluar pa pasoja ligjore. Partia Demokratike ka dorëzuar tashmë një kallëzim penal në SPAK për Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Kulturës, Blendi Gonxhja.

Ata akuzohen për "Shpërdorim detyre" dhe "Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike". Opozita argumenton se fondi rezervë i shtetit nuk mund të digjet për koncerte private, por ligjërisht duhet të përdoret vetëm për emergjenca kombëtare apo fatkeqësi natyrore.

Ky skandal ka rikthyer me forcë pikëpyetjet e mëdha mbi prioritetet e qeverisë shqiptare: A duhen shpenzuar miliona euro nga taksat tona për t'i mbushur xhepat një ylli botëror, ndërkohë që të sëmurët në spitalin më të madh në vend lihen në mëshirë të donacioneve?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit