Goditet rrjeti kriminal në Valencia, të përfshirë dhe disa shqiptarë

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 13.07.2026, 20:47

Autoritetet spanjolle kanë goditur një rrjet kriminal të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e marijuanës në provincën e Valencias, duke çmontuar një plantacion të teknologjisë së lartë dhe duke arrestuar 14 persona. Sipas hetimeve, në skemë dyshohet të ketë qenë i përfshirë edhe një grup shtetasish shqiptarë.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi rreth 3,000 bimë kanabisi, disa armë zjarri dhe pajisje të avancuara për kultivimin e drogës në ambiente të mbyllura. Mes objekteve të zbuluara ishte edhe një plantacion me 2,763 bimë në një fazë të avancuar të rritjes.

Hetimi kishte nisur në muajin janar, pasi autoritetet vunë re disa shtetas shqiptarë që transportonin pajisje të përdorura për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura në zonën e Xirivellës. Sipas policisë, të njëjtët persona ishin hetuar edhe në vitin 2023 dhe përdornin masa të larta sigurie për të shmangur zbulimin.

Autoritetet bëjnë me dije se grupi përdorte automjete me qira, të cilat i ndërronte vazhdimisht, ndërsa anëtarët e tij lëviznin shpesh mes Murcias dhe Gironas për të zgjeruar aktivitetin kriminal dhe për të gjetur ambiente të reja për kultivimin e drogës.

Ndërhyrja e policisë u përshpejtua pas një konflikti mes grupeve kriminale, ku, sipas autoriteteve, u përdorën edhe armë zjarri.

Nga hetimet rezultoi se grupi i shtetasve shqiptarë bashkëpunonte me një grup shtetasish spanjollë, të njohur më parë për precedentë penalë në fushën e trafikut të drogës. Sipas hetuesve, të dy grupet kishin krijuar një strukturë të organizuar, me ndarje të qartë të roleve, duke kombinuar burimet financiare, teknologjinë dhe logjistikën për kultivimin dhe shpërndarjen e marijuanës.

Të arrestuarit janë paraqitur përpara gjykatës nën dyshimet për krime kundër shëndetit publik, mashtrim me energjinë elektrike dhe anëtarësim në organizatë kriminale. Gjykata ka vendosur masën "arrest në burg" për tre prej tyre, ndërsa një tjetër rezultonte i shpallur në kërkim për të njëjtën vepër penale.

Deri në këtë fazë të hetimeve, autoritetet spanjolle nuk kanë konfirmuar zyrtarisht nëse mes 14 personave të arrestuar ndodhen shtetas shqiptarë, megjithëse hetimi identifikon një grup shqiptarësh si pjesë të rrjetit kriminal.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit