Një zhvillim i rëndësishëm ka ndodhur në procesin gjyqësor për vrasjen e 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila në Itali. Ish-i dashuri i saj, tashmë 17-vjeç, ka pranuar për herë të parë përgjegjësinë për krimin, duke deklaruar se ishte ai që e shtyu vajzën nga ballkoni i një ndërtese më 25 tetor 2024.
I riu, i cili në kohën e ngjarjes ishte 15 vjeç, ishte dënuar në shkallën e parë me 17 vite burg nga Gjykata për të Miturit. Gjatë seancës së apelit ai ndryshoi dëshminë e mëparshme, pranoi autorësinë e ngjarjes dhe kërkoi falje si për veprimin, ashtu edhe për vonesën në pranimin e së vërtetës.
Avokati i nënës së Aurorës, Emilio Malaspina, e cilësoi rrëfimin si një hap që mbyll përfundimisht çështjen e përgjegjësisë penale, duke shprehur bindjen se vendimi i shkallës së parë do të mbetet në fuqi.
Gjykata ka kërkuar gjithashtu një raport mbi sjelljen e tij gjatë qëndrimit në burgun e të miturve në Catanzaro, pasi ndaj tij raportohet se kanë ekzistuar edhe denoncime të tjera.
Si ndodhi ngjarja
Sipas hetimeve, marrëdhënia mes dy të miturve ishte përkeqësuar në javët para krimit. Aurora kishte vendosur t'i jepte fund lidhjes, por, sipas autoriteteve, 15-vjeçari kishte vijuar ta ndiqte dhe ta shqetësonte.
Në dosjen hetimore janë përfshirë edhe mesazhe që, sipas prokurorëve, tregonin planifikimin e krimit. Në një prej tyre ai shkruante: "Plani im i hakmarrjes fillon tani, të mërkurën më 9 tetor në orën 02:50."
Një element që tërhoqi vëmendjen gjatë hetimeve ishin edhe bisedat që Aurora kishte zhvilluar me ChatGPT. E shqetësuar për situatën që po përjetonte, ajo kishte kërkuar këshilla duke pyetur: "Sipas teje, a duhet ta lë?" Sipas gjykatës, këto biseda, të kombinuara me dëshmitë e familjarëve, shoqeve dhe edukatores së shërbimeve sociale, ndihmuan në dokumentimin e gjendjes së saj emocionale dhe të pretendimeve për përndjekje.
Sipas vendimit të shkallës së parë, një ditë para ngjarjes i riu kishte shprehur ndaj një personi tjetër synimin për të vrarë Aurorën. Hetuesit pretendojnë se takimi i fundit mes tyre nuk kishte për qëllim pajtimin, siç besonte 13-vjeçarja, por ishte pjesë e një plani të paramenduar për t'i marrë jetën.
Me pranimin e bërë në Gjykatën e Apelit, 17-vjeçari ka ndryshuar për herë të parë versionin e tij të ngjarjes, duke marrë përgjegjësinë për vrasjen e adoleshentes shqiptare.