“Në Spanjë plazhi është i të gjithëve, këtu nuk të përzë askush”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 13.07.2026, 19:59

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania, duke ndarë një video nga plazhi i Malgrat de Mar në Spanjë, ku krahason mënyrën e menaxhimit të vijës bregdetare me atë që, sipas tij, përjetojnë pushuesit në shumë plazhe të Shqipërisë.

Në pamjet e dërguara, ai tregon se vetëm një pjesë e vogël e plazhit është e zënë nga çadrat me pagesë, ndërsa pjesa tjetër mbetet e lirë për qytetarët që duan të vendosin çadrën ose peshqirin e tyre, pa u penguar nga askush.

Sipas tij, çmimi i një çadre është 8 euro, ndërsa edhe shezlongu kushton 8 euro. Megjithatë, ai thekson se këto zona nuk e bllokojnë aksesin në bregdet, pasi përpara tyre dhe përgjatë gjithë vijës së plazhit ka hapësira të bollshme publike.

Qytetari shprehet se, ndryshe nga ajo që ka hasur në Shqipëri, në Spanjë askush nuk i largon pushuesit që zgjedhin të përdorin çadrat personale pranë zonave me pagesë. Ai shton se plazhi është i pastër, i pajisur me hapësira sportive si fusha volejbolli e basketbolli dhe se çdo vizitor mund të zgjedhë lirshëm vendin ku dëshiron të pushojë.

Në mesazhin e dërguar për JOQ Albania ai shkruan:

"Përshëndetje JOQ, ju dërgova një video me koment për sa i përket se sa e thjeshtë është të gjesh një plazh të lirë, pa 'pronarë' dhe të pastër në Spanjë, në Malgrat de Mar. Ju përshëndes."

Denoncimi i tij rikthen në vëmendje një shqetësim të ngritur prej vitesh nga pushuesit shqiptarë, të cilët ankohen se në shumë segmente të bregdetit vendosja e çadrave private është kufizuar nga zaptimi pothuajse i gjithë vijës së rërës me shezlongë e çadra me pagesë, ndërsa hapësirat publike shpesh janë të pakta ose në kushte jo të përshtatshme për pushuesit.

Pyetja që shtrohet mbetet e njëjtë çdo sezon veror: A duhet të garantohet më shumë hapësirë publike në plazhet shqiptare, në mënyrë që bregdeti të jetë i aksesueshëm për të gjithë qytetarët?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit