21-vjeçari shqiptar nën hetim në Itali, turistja gjermane e akuzon për abuzim seksual

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 12.07.2026, 20:39

Një 21-vjeçar shqiptar është vënë nën hetim në gjendje të lirë nga Prokuroria e Riminit, pasi akuzohet për dhunë seksuale ndaj një turisteje 18-vjeçare nga Gjermania. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë fundjavës së parë të korrikut në rivierën italiane.

Sipas mediave italiane, e reja kishte mbërritur në Rimini për pushime së bashku me dy shoqe. Gjatë qëndrimit atje, tre vajzat ishin njohur me 21-vjeçarin shqiptar, i cili jeton prej vitesh në Itali, dhe kishin lënë takim në një diskotekë mbrëmjen e 5 korrikut.

Sipas kallëzimit të 18-vjeçares, pas disa orësh të kaluara së bashku dhe konsumimit të sasive të konsiderueshme të alkoolit, grupi ishte zhvendosur në plazh. Më pas, ajo dhe i riu ishin larguar nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Vajza pretendon se në atë moment 21-vjeçari e detyroi të kryente marrëdhënie seksuale kundër vullnetit të saj. Ajo ka deklaruar se ka bërë rezistencë, por ai ka përfituar nga gjendja e saj e dehur dhe e ka detyruar me forcë. Të nesërmen, 18-vjeçarja iu drejtua Komisariatit të Policisë në Rimini, ku bëri kallëzim për ngjarjen.

Nga ana tjetër, 21-vjeçari shqiptar i mohon kategorikisht akuzat. Sipas versionit të tij, mes tyre kanë pasur vetëm puthje dhe çdo veprim ka qenë me pëlqimin e ndërsjellë.

Avokati mbrojtës është shprehur se klienti i tij është i bindur për pafajësinë dhe, për të bashkëpunuar me hetimet, ka dorëzuar vullnetarisht edhe veshjet e tij intime për kryerjen e analizave biologjike.

Prokuroria e Riminit i ka kërkuar gjyqtarit të zhvillojë një procedurë të posaçme për marrjen e provave, me qëllim rindërtimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e dinamikës së asaj që ndodhi mes dy të rinjve gjatë natës së 5 korrikut.

Hetimet vijojnë, ndërsa deri në një vendim përfundimtar të drejtësisë, 21-vjeçari konsiderohet i pafajshëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit