Vrasja në Shkodër, viktima dyshohej si i përfshirë në ekzekutimin e 20-vjeçarit Pavlin Preka

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 11.07.2026, 21:26

Kanë dalë detaje të reja lidhur me vrasjen e ndodhur mbrëmjen e sotme në zonën e Prekalit, në Shkodër.

Viktima është identifikuar si Aleksandër Koçeku, i cili u gjet i pajetë brenda një automjeti në aksin rrugor Prekal–Kir. Sipas Policisë, ai dyshohet se është vrarë me armë zjarri, ndërsa hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve vijojnë.

Emri i Aleksandër Koçekut nuk është i panjohur për organet e drejtësisë. Sipas Prokurorisë, ai dyshohej për përfshirje në vrasjen e Pavlin Prekës, një ngjarje që kishte tërhequr vëmendje të madhe në Shkodër.

Në dosjen hetimore thuhet se, bazuar në provat e administruara, Vasel Koçeku, Aleksandër Koçeku dhe Klaudio Lisaj dyshohej se kishin planifikuar dhe realizuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, vrasjen e Pavlin Prekës.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, motivi i dyshuar i asaj ngjarjeje lidhej me përpjekjet e Pavlin Prekës për të marrë për bashkëshorte vajzën e Vasel Koçekut, pa pëlqimin e saj. Në dosje përmendet gjithashtu se viktima kishte tatuazhuar në qafë emrin e vajzës, një rrethanë që, sipas hetuesve, mund të ketë ndikuar në përshkallëzimin e konfliktit.

Po sipas Prokurorisë, Klaudio Lisaj kishte lidhje shoqërore me Pavlin Prekën dhe dyshohej se kishte dijeni për ngjarjen. Ai rezulton gjithashtu të ketë lidhje familjare me Vasel Koçekun, pasi bashkëshortja e këtij të fundit është halla e tij.

Ndërkohë, për vrasjen e Aleksandër Koçekut, grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin e motivit dhe kapjen e autorit ose autorëve. Deri në këtë fazë, Policia nuk ka dhënë informacion nëse dyshohet për lidhje mes atentatit të mbrëmjes së sotme dhe konflikteve të mëparshme ku emri i viktimës ishte përmendur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit