Bagëtitë kullosin mes varreve: “Roja vetëm bën sehir”

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 11.07.2026, 20:43

Një banor i fshatit Veliqot, në Bashkinë Tepelenë, i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim për gjendjen e varrezave të fshatit, ku, sipas tij, bagëtitë futen vazhdimisht brenda territorit të tyre pa u penguar nga askush.

Në videot e mbërritura në redaksi shihen lopë dhe gomarë që lëvizin dhe kullosin mes varreve, duke kaluar pranë lapidarëve dhe hapësirave ku prehen të afërmit e banorëve.

Sipas qytetarit, kjo situatë përsëritet sa herë që ai viziton varrezat.

"Vij që prej Tiranës në fshatin e mamit, në Veliqot. Sa herë vij, i gjej bagëtitë të futura brenda varrezave. Roja i varrezave vetëm bën sehir", shkruan ai.

Banori shprehet se është e papranueshme që një vend i shenjtë dhe i respektit për të ndjerët të lihet në këtë gjendje, ndërsa kërkon ndërhyrjen e Bashkisë Tepelenë dhe institucioneve përgjegjëse për të marrë masa.

Sipas tij, mjafton një rrethim funksional dhe një mbikëqyrje më e mirë për të shmangur hyrjen e kafshëve në varreza dhe për të ruajtur dinjitetin e këtij ambienti.

JOQ Albania fton Bashkinë Tepelenë dhe përgjegjësit e administrimit të varrezave të reagojnë mbi këtë problem, i cili sipas banorëve vazhdon prej kohësh dhe mbetet ende pa zgjidhje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit