Një banor i Thethit i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim për situatën e mbetjeve në një nga destinacionet turistike më të vizituara të Shqipërisë.
Në videon e dërguar në redaksinë tonë, duken koshat e mbeturinave të tejmbushur, ndërsa qeset me plehra dhe mbetje të ndryshme kanë dalë jashtë konteinerëve dhe janë shpërndarë përgjatë rrugës, në kontrast të plotë me peizazhin natyror të Alpeve Shqiptare.
Sipas qytetarit, kjo nuk është një situatë e rastësishme, por një problem që përsëritet çdo ditë, sidomos gjatë sezonit turistik.
"Nga Thethi, përditë e njëjta gjë. Problemi i turistëve janë koshat e plehrave, që vijnë vetëm një herë në javë për t'u pastruar në Theth", shkruan qytetari.
Banorët thonë se frekuenca aktuale e grumbullimit të mbetjeve nuk përballon fluksin e lartë të vizitorëve që mbërrijnë çdo ditë në Theth, duke bërë që mbeturinat të grumbullohen pranë rrugëve dhe zonave të frekuentuara nga turistët.
Thethi është një nga destinacionet më të njohura të turizmit malor në Shqipëri dhe çdo verë pret mijëra vizitorë vendas e të huaj. Banorët shprehen se, për të ruajtur imazhin e zonës dhe për të mbrojtur mjedisin, është e domosdoshme që shërbimi i pastrimit të shtohet gjatë sezonit turistik.
Ata u bëjnë thirrje Bashkisë Shkodër dhe institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë sa më shpejt, duke rritur frekuencën e grumbullimit të mbetjeve, në mënyrë që një nga perlat natyrore të vendit të mos përballet çdo ditë me të njëjtin problem.