+200 mijë € për gropën e turpit! 100 MILIONË € nuk mjaftuan t’i vinin kapakun ujërave të zeza në Tiranë

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 11.07.2026, 19:34

Nëse kaloni nga zona e Kombinatit në Tiranë, do të ndesheni me një pamje apokaliptike: skelete betoni, gropa të hapura dhe hekurishte që ndryshken nën diellin e kryeqytetit. Nuk është një godinë e braktisur, por është "varri" i mbi 100 milionë eurove të taksapaguesve shqiptarë, një projekt që duhet të kishte shpëtuar Tiranën nga aroma e tmerrshme e ujërave të zeza në Lanë dhe Lumë të Tiranës, por që sot vijon të "hajë" para pa u ndalur.

Impianti u projektua për të trajtuar 90% të ujërave të zeza të Tiranës, duke shmangur derdhjen e tyre në Lanë, Lumë të Tiranës dhe më pas në Adriatik. Edhe sot, pavarësisht kostove, ujërat e zeza vazhdojnë të derdhen në qytet. Projekti filloi 12 vite më parë me një kosto rreth 70 milionë euro. Deri më tani janë shpenzuar mbi 100 milionë euro, ndërsa punimet janë ndërprerë që nga viti 2018. Firma "Joint Venture Dondi & Kubota" ndërpreu punimet, shteti humbi në Arbitrazh, por askush nga zyrtarët përgjegjës të AKUK-ut (institucion nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës) nuk ka mbajtur përgjegjësi ligjore për këtë humbje kolosale, pasi thonin se "aq ishte bucheti".

Teksa qytetarët mbyllin hundët kur kalojnë pranë Lanës, ku derdhen ujërat e zeza të kullave dhe pallateve të reja, AKUK (Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve) ka menduar sërish si t’i shpenzojë paratë e shqiptarëve. Në vend që të përfundojnë impiantin në Mëzes, institucioni ka hapur një tender për "mirëmbajtjen e kantierit të Tiranës së Madhe".

Fondi limit? Rreth 200 mijë euro! Një shumë që hidhet në erë çdo vit për të mbajtur "në gjumë" një kantier ku nuk është vënë një tullë e vetme që nga viti 2018.

Në letrat e AKUK-ut, gjithçka duket e bukur: "shërbime riparimi", "mirëmbajtje rrugësh", "shërbime të lidhura me pajisjet". Në terren? Vetëm gërmadha që ndryshken, teksa shteti vijon të paguajë për një fantazmë që nuk ka shërbyer asnjë ditë.

AKUK-u, një institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka qenë nën lupën e hetimeve ndër vite, me drejtorë që ndërrohen si këmishat, disa nën hetim, e të tjerë në poste të larta.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit