Një pamje sa e rrallë aq edhe e bukur ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve pasditen e sotme në kryeqytet. Ndërsa jemi mësuar që rrugët e Tiranës të mbushen me zhurmë makinash e luks dasmash moderne, banorët e zonës së "5 Majit" kanë mbetur të befasuar nga një parakalim krejtësisht i veçantë.
Një grup krushqish, të veshur me kostume tradicionale popullore e me qeleshe në kokë, kanë marshuar mespërmes rrugës duke marrë nusen apo duke çuar dhuratat e dasmës sipas dokeve të vjetra shqiptare.
Ajo që ka rënë më shumë në sy dhe ka shkaktuar mjaft reagime pozitive ka qenë prania e një dashi të zbukuruar me një fjongo të kuqe, i cili mbahej me litar nga një prej burrave të veshur me kostum tradicional, një zakon ky i hershëm që simbolizon jetëgjatësinë, bollëkun dhe mbarësinë për çiftin e ri.
Mes krushqve nuk mungonin as gratë e vajzat me veshje kombëtare, si dhe fëmijët e vegjël që e ndiqnin këtë traditë me plot gëzim.
Një qytetar ka realizuar një video dhe e ka ndarë atë menjëherë me redaksinë tonë, duke shkruar: “Përshëndetje JOQ. Sot në lagjen 5 Maji, Tiranë, traditat tona të bukura kanë lezet”.
Në një kohë ku dasmat moderne po zbehin zakonet e vjetra, ky rikthim në rrënjë në mes të Tiranës tregon se tradita mbetet gjallë dhe se "ka gjithmonë lezet" kur festohet shqip!