U plagos në aksident, qytetari: 4 vite pa drejtësi, ndërrojnë gjyqtarin çdo 4-5 muaj

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 11.07.2026, 18:48

Një qytetar nga Lushnja i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar atë që e cilëson si një zvarritje të pajustifikuar të një çështjeje gjyqësore, katër vite pas një aksidenti rrugor ku ai dhe dy familjarë të tij mbetën të plagosur.

Denoncuesi rrëfen se aksidenti ndodhi më 27 mars 2022, në zonën e Qukësit, pranë Fier-Sheganit në Lushnjë. Sipas tij, një automjet tip Volkswagen i kuq i preu rrugën vetëm pak metra përpara, duke e bërë të pamundur shmangien e përplasjes.

Ai thotë se në automjet ndodheshin edhe vëllai dhe bashkëshortja e vëllait, të cilët gjithashtu mbetën të dëmtuar. Sipas dëshmisë së tij, vëllai pësoi tre brinjë të thyera, ndërsa vetë ai një frakturë në kraharorin e majtë.

Qytetari pretendon se drejtuesi i automjetit Volkswagen u largua nga vendngjarja rreth 30 minuta pas aksidentit, duke lënë aty vetëm të atin. Ai shton se, kur drejtuesi mbërriti, policia i kreu testin e alkoolit dhe sipas tij rezultati i parë ishte 0.86, ndërsa dy testet pasuese rezultuan 0.00.

Denoncuesi shprehet se kjo situatë i ngriti dyshime dhe se, kur kërkoi shpjegime nga efektivët në vendngjarje, mori një përgjigje që e konsideron fyese.

"Në testin e parë doli 0.86, ndërsa dy herët e tjera 0.00. I thashë policisë se diçka nuk shkonte. Një polic me emrin Sokol më tha: 'Rri urtë, nuk do na mësosh ti punën tonë'", dëgjohet të thotë ai në videon e dërguar në redaksinë tonë.

Por shqetësimi më i madh, sipas tij, nuk lidhet vetëm me aksidentin, por me mënyrën se si është trajtuar çështja në sistemin e drejtësisë. Ai pretendon se prej katër vitesh procesi nuk ka marrë zgjidhje dhe se gjyqtari i çështjes ndryshohet vazhdimisht, çdo katër ose pesë muaj, pa marrë asnjë sqarim për arsyet e këtyre ndryshimeve.

Në mesazhin dërguar JOQ Albania ai shkruan:

"Shoferi tjetër më preu rrugën në 3 metra dhe nuk munda të reagoj. Shoferi në alkotestin e parë doli me 0.86, pastaj e nxorën me 0.00. Dhe në çdo tre-pesë muaj ndërrojnë gjyqtarin dhe nuk kam asnjë sqarim."

Qytetari shprehet se, deri më sot, nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim dhe dyshon se zvarritja e gjatë e procesit mund të lidhet me ndikime apo lidhje të forta të palës tjetër, megjithëse për këtë nuk paraqet prova.

JOQ Albania publikon këtë denoncim në interes të transparencës dhe i bën thirrje institucioneve përgjegjëse, Prokurorisë, Gjykatës dhe Policisë së Shtetit, të japin një sqarim mbi ecurinë e këtij procesi, arsyet e vonesave dhe pretendimet e ngritura nga qytetari, në mënyrë që çdo dyshim të marrë një përgjigje institucionale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit