“Sudja e premtimeve”, qytetari shpërthen ndaj Bashkisë Klos për mungesën e investimeve

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 11.07.2026, 15:42

Një qytetar nga fshati Rripë, në bashkinë Klos, ka denoncuar përmes një reagimi publik atë që e cilëson si mungesë investimesh dhe mosmbajtje të premtimeve të bëra gjatë fushatave elektorale.

Sipas tij, gjatë zgjedhjeve vendore dhe parlamentare u premtuan asfaltimi i rrugëve, ndërtimi i ujësjellësit, rezervuari i Liqenit të Rripës, rikonstruksione dhe investime të tjera, por shumica e tyre nuk janë realizuar.

Qytetari thotë se problemi më i madh i banorëve mbetet furnizimi me ujë të pijshëm, ndërsa kanalet vaditëse, sipas tij, pastrohen nga vetë banorët me mjete primitive, pasi mungon ndërhyrja e bashkisë. Ai shton se në shumë lagje rrugët vijojnë të jenë me zhavorr ose të degraduara, ndërsa rruga Shulbatër–Rripë, e ndërtuar vite më parë, sipas tij është amortizuar dhe në disa segmente është mbuluar nga ferrat.

Në reagimin e tij, qytetari kritikon edhe Bashkinë Klos, duke u shprehur se gjatë mandatit katërvjeçar investimet në Rripë kanë qenë minimale dhe se problemet e banorëve kanë mbetur pa zgjidhje. Ai thotë se institucioni u përgjigjet kërkesave të banorëve vetëm me premtime për ndërhyrje, të cilat nuk konkretizohen.

Në fund të reagimit, qytetari përdor një krahasim simbolik, duke e cilësuar situatën si "Sudja e premtimeve", me argumentin se banorët vazhdojnë të presin realizimin e projekteve të premtuara, ndërsa problematika, sipas tij, mbetet e njëjtë.

Denoncimi i qytetarit:

Bashkia,Sudja dhe Vefa e premtimeve

Në zgjedhjet vendore dhe per deputet,Rripa foli qartë: 61% për PS. Pjesa tjetër, 110 vota, qenkan ata që ende besojnë se premtimet duhen mbajtur e jo vetëm thënë.

Në fushatë u premtua gjithçka:

rruga me asfalt;

ujësjellësi;

rezervuari i Liqenit të Rripës;

rikonstruksione;

dhe plot të tjera.

Po tani?

Mandati i kryetares së bashkisë po mbaron dhe zgjedhjet po afrohen. Tani pritet faza e dytë e projektit: vizitat derë më derë.

Do të fillojnë nga shtëpia më e largët e Rripës e deri te më e afërta:

"Aman, na jepni edhe një votë se këtë herë ujin do ta sjellim me siguri."

Në Rripë problemi më i madh mbetet uji,rruge dhe kanale qe fshataret i hapin vetë. Banorët vazhdojnë të vuajnë për ujë, ndërsa rezervuari i Liqenit të Rripës dhe ujësjellësi vazhdojnë të jenë në kategorinë "do bëhen".

Punët e dukshme deri më tani?

disa rrugë me beton;

ca me çakull;

2-3 mure mbrojtëse.

Pjesa tjetër?

Humnerë.

Çdo javë ndonjë banor i Rripës bën takime me deputetin, me shpresën se mos i zgjidhet ndonjë hall,se na ka marre malli me e pa ne zone.

Premtimet e 11 majit nuk duken gjekundi.

Deputeti dëgjon. Banorët shpresojnë. Uji mungon. Dhe fushata po afron.

Edhe kur banorët shkojnë në Bashkinë Klos për të kërkuar zgjidhje, përgjigjja është pothuajse gjithmonë e njëjta:

"Po."

Po do ta shohim. Po do ta bëjmë. Po do ta fusim në projekt. Po do të vijmë në terren. Po do ta zgjidhim.

Kalojnë javët, kalojnë muajt, kalojnë vitet... dhe ai "po" mbetet investimi i vetëm që nuk ka munguar asnjëherë në Rripë.

Phyyyy.

Tani fillimi i korrikut është kthyer në festën më të madhe të Rripës. Jo se organizohet ndonjë aktivitet. Thjesht... vjen uji. Edhe ai qëndron vetëm dy javë. Pastaj largohet, sikur të ketë ardhur për pushime si emigrant.

Madje edhe kanalet nuk mirëmbahen nga bashkia. Ato hapen në mënyrë primitive nga vetë banorët, me lopata e kazma, sepse pritja për ndërhyrje zyrtare zgjat më shumë se vetë sezoni i ujit.

Kanalet janë mbushur me barishte, baltë e mbeturina. Në vend që të pastrohen nga bashkia, u mbetet banorëve t'i hapin vetë me lopata e kazma.

Ndërkohë, në Bashkinë Klos duket se një pjesë e mirë e energjisë harxhohet për postime në Facebook, pëlqime, shpërndarje dhe propagandë, ndërsa problemet e Rripës vazhdojnë të presin zgjidhje.

Bashkia e ashtuquajtur Klos, për katër vitet e mandatit nuk arriti të lërë pothuajse asnjë gjurmë në Rripë.

Po lagjet?

Duka, Koçi, Uka,Kurti,Kadiu,Baku dhe pothuajse të gjitha lagjet e tjera vazhdojnë të mbeten me zhavorr. Gjatë verës pluhuri mbulon gjithçka, ndërsa në shumë segmente duhet një makinë 4×4 për të kaluar pa vështirësi.

Rrugët e lagjeve të brendshme janë degraduar ndjeshëm dhe nuk ekzistojne.

Edhe rruga Shulbatër–Rripë, e ndërtuar në vitin 2013 dhe dikur ndër më cilësoret në Mat, sot është amortizuar dhe në shumë vende po mbulohet nga ferrat, sikur të ishte lënë në harresë.

Në Rripë, premtimet nuk mungojnë kurrë. Uji po.

Kur vijnë zgjedhjet, rezervuari kujtohet, ujësjellësi ringjallet dhe asfaltit i del emri në çdo takim.

Pas zgjedhjeve, gjithçka kthehet në normalitet: banorët kërkojnë ujë, ndërsa premtimet bëjnë pushim deri në fushatën tjetër.

Rripa e pret ujin në fillim të korrikut si dikur pritej festa e 1 Majit. Vjen një herë në vit, gëzon të gjithë për pak ditë dhe pastaj mbetet vetëm kujtimi.

Na ishte njëherë Rripa… si Sudja e premtimeve: njerëzit pritën fitimin e madh, por në fund mbetën veç fjalët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit