Një qytetar ka ngritur alarmin në redaksinë e JOQ Albania për një situatë të rrezikshme pranë ish-Tregut Elektrik në Tiranë, ku, sipas denoncimit të tij, kangjellat metalike anësore të rrugës kanë pasur rrjedhje të energjisë elektrike.
Së bashku me denoncimin, qytetari ka dërguar edhe një video, ku shfaqet duke përdorur një indikator tensioni, i cili sinjalizon praninë e energjisë elektrike në kangjellat metalike.
Sipas tij, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme, dhe siç pretendon ai, disa fëmijë kanë rënë në kontakt me kangjellat, duke u frikësuar. Fatmirësisht, sipas denoncuesit, ata janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Qytetari thotë se ka njoftuar Policinë e Shtetit dy herë, por pretendon se deri në momentin kur ka kontaktuar me JOQ Albania, askush nuk ishte paraqitur në vendngjarje për të verifikuar situatën.
Ai shprehet se indikatori i tensionit sinjalizonte praninë e energjisë elektrike, megjithatë nuk mund të konfirmohet niveli real i tensionit apo shkaku i rrjedhjes. Nëse do të bëhej fjalë për një tension të plotë prej 220 voltësh në kangjella, pasojat do të mund të ishin shumë më të rënda.
Për këtë arsye, JOQ Albania e publikon këtë denoncim si një apel ndaj institucioneve përgjegjëse, që të verifikojnë menjëherë situatën dhe të marrin masat e nevojshme për eliminimin e çdo rrjedhjeje të mundshme të energjisë elektrike, përpara se të ndodhë një ngjarje me pasoja tragjike, veçanërisht në një zonë ku qarkullojnë çdo ditë shumë qytetarë dhe fëmijë.