Dyshemeja e mbuluar me gjak: Pamje rrëqethëse nga shtëpia e 32-vjeçares që u masakrua nga ish-burri në Durrës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 10.07.2026, 18:48

Detaje të reja dhe mjaft tronditëse dalin në dritë nga skena e krimit në Durrës, ku një 32-vjeçare u plagos rëndë me thikë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Pamjet që vijnë nga brenda banesës ku ndodhi ngjarja e rëndë, në lagjen 16 të qytetit bregdetar, dëshmojnë qartë tmerrin e përjetuar nga nëna e dy fëmijëve.

Një tavolinë e shtruar me pak ushqim të lënë përgjysmë, një arush pelushi i harruar mbi divan që tregon praninë e fëmijëve, dhe pllakat e larë në gjak janë dëshmia memece e një nate që nisi për ribashkim dhe përfundoi në tragjedi.

Ngjarja ka nisur rreth orës 03:00 të mëngjesit në katin e dytë të një godine trikatëshe ku e reja jetonte me qira. Sipas dëshmisë rrëqethëse të fqinjës që i dha ndihmën e parë, gjithçka ka filluar me thirrjet e dëshpëruara të viktimës.

Ajo ka treguar se dëgjoi një zë të mbytur që bërtiste “Ndihmë, ndihmë!” dhe kur ka dalë te dera, është përballur me fqinjën e saj të mbuluar plotësisht në gjak dhe të panjohshme. 32-vjeçarja kishte gjetur forcën për të zbritur vetë shkallët deri në katin e parë, ku i ka thënë fqinjës fjalët e fundit para se të shembej përtokë: “Ndihmë se më kanë çarë me thikë”.

Fqinjët e përshkruajnë nënën e re si një grua jashtëzakonisht të qetë, e cila shihte punën e saj dhe nuk njihej për konflikte. Ajo jetonte vetëm në atë banesë pasi fëmijët i mbanin njerëzit e saj, ndërsa të pranishmit thonë se nuk kishin parë kurrë meshkuj apo ish-bashkëshortin të futej në atë shtëpi.

Grupi hetimor ka zbuluar se e plagosura dhe ish-bashkëshorti i saj, Xhoni Karaj, 40 vjeç me banim në Elbasan, ishin të divorcuar por po tentonin të ribashkoheshin. Pikërisht kjo tentativë ka dështuar në mënyrë të dhunshme, duke çuar në përdorimin e thikës ndaj 32-vjeçares. Autori i dyshuar ka përfituar nga errësira duke u larguar menjëherë nëpër natë dhe aktualisht ndodhet në arrati në kërkim policor. Ndërkohë, e plagosura po mbahet nën kujdesin intensiv të mjekëve në reanimacionin e spitalit të Durrësit, ku po lufton për jetën.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit