Studentët e Akademisë së Sigurisë denoncojnë ndryshimet në ligj: Na lanë pa punë dhe pa pagë në mes të verës!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 10.07.2026, 17:51

Studentë të Akademisë së Sigurisë, njëkohësisht ish-punonjës të Policisë së Shtetit, kanë ngritur një shqetësim në redaksinë e JOQ Albania, duke denoncuar pasojat që, sipas tyre, kanë sjellë ndryshimet ligjore në mënyrën e formimit të efektivëve dhe oficerëve të policisë.

Sipas një denoncimi të mbërritur në redaksinë tonë, rreth 50 punonjës policie janë detyruar të ndërpresin marrëdhënien e punës për të vijuar studimet në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit në Akademinë e Sigurisë, duke mbetur gjatë sezonit veror pa punë dhe pa asnjë trajtim financiar.

Denoncuesi shpjegon se më herët, bazuar në ligjin nr. 108/2014, karriera në Policinë e Shtetit niste nga niveli zbatues, ndërsa punonjësit kishin mundësi të vazhdonin studimet për të kaluar në nivelin drejtues pa u shkëputur nga detyra. Megjithatë, sipas tij, me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 82/2024 dhe konkretisht nenit 73, pika 6, studentët detyrohen të largohen nga strukturat e Policisë gjatë periudhës së studimeve.

Sipas tyre, kjo situatë ka sjellë pasoja të shumta profesionale dhe ekonomike. Ata theksojnë se bursa që përfitojnë mbulon vetëm periudhën nga tetori deri në qershor, ndërsa gjatë verës mbeten pa të ardhura, duke u detyruar të punojnë në profesione të tjera për të siguruar jetesën.

Studentët pretendojnë gjithashtu se humbasin të drejtën për të përfituar kredi të buta për strehim, ndërpriten kontributet e sigurimeve shoqërore dhe vitet e punës, ndërsa bankat nuk e konsiderojnë bursën si të ardhur të rregullt për miratimin e kredive.

Një tjetër shqetësim që ata ngrenë është edhe rreziku i humbjes së përvojës profesionale, pasi shkëputja nga puna, sipas tyre, ndikon në ruajtjen e aftësive praktike dhe disiplinës policore.

Ata theksojnë se ndihen të diskriminuar edhe në raport me studentët e vitit të tretë, të cilët vijojnë të jenë në marrëdhënie pune sipas skemës së mëparshme.

Në përfundim të denoncimit, studentët i bëjnë thirrje institucioneve që të rishikojnë nenin 73, pika 6 të ligjit nr. 82/2024, duke argumentuar se zbatimi i tij po krijon vështirësi për dhjetëra studentë dhe, sipas tyre, po dëmton edhe vetë Policinë e Shtetit, e cila detyrohet të zëvendësojë çdo vit efektivët që largohen për të ndjekur studimet.

JOQ Albania publikon këtë denoncim në interes të transparencës dhe i jep të drejtën e reagimit Akademisë së Sigurisë, Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse për të sqaruar këtë situatë dhe hapat që pritet të ndërmerren lidhur me shqetësimin e ngritur nga studentët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit