Një qytetar ka denoncuar pranë redaksisë tonë një rast të papërgjegjshëm në aksin rrugor pranë TEG-ut, në drejtim të ish-Rezervave të Shtetit në Lundër, ku një betoniere po lëvizte duke derdhur beton në rrugë.
Sipas denoncuesit, betoni i rënë nga mjeti ka përfunduar edhe mbi automjetin e tij, duke i spërkatur xhamin dhe duke krijuar rrezik për drejtuesit e tjerë të mjeteve.
Qytetari shprehet i indinjuar edhe për mungesën e reagimit të autoriteteve, duke theksuar se komisariati i policisë ndodhet vetëm rreth 200 metra larg vendit ku ndodhi ngjarja.
"Përshëndetje! Ju lutem desha t'ju dërgoj një video që ta bëni publike. Betonieret e oligarkëve në mes të ditës derdhin betonin në rrugë, para TEG-ut në drejtim të ish-Rezervave të Shtetit në Lundër, aq sa i gjithë betoni na erdhi te xhami i makinës sonë. Ndërkohë komisariati inekzistent i policisë është vetëm 200 metra më tej. Videoja është bërë para rreth 30 minutash," shkruan qytetari.
Ngjarje të tilla jo vetëm dëmtojnë automjetet, por përbëjnë edhe rrezik për sigurinë rrugore. Qytetarët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për të identifikuar dhe ndëshkuar subjektet që qarkullojnë pa respektuar rregullat e transportit të materialeve të ndërtimit.