U hodh në lumë për t’u larë, 33-vjeçari shqiptar gjendet i pajetë pas orësh kërkimesh

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 10.07.2026, 15:59

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin e Colle di Val d’Elsa në Itali, ku ka humbur jetën tragjikisht 33-vjeçari shqiptar Xhovalin Musaraj.

I riu u zhduk pasditen e së dielës, më 5 korrik, pasi u hodh për t’u larë në lumin Elsa, por nuk arriti të dilte më në sipërfaqe. Ngjarja ndodhi në zonën mes Gore Rotte dhe urës së Spugnës, një pikë e frekuentuar nga qytetarët gjatë ditëve të nxehta të verës, ku thellësia e ujit arrin rreth 2.5 metra.

Sipas mediave italiane, Musaraj ishte së bashku me disa të afërm në momentin kur u fut në ujë. Kur familjarët vunë re se ai nuk po dilte më në sipërfaqe, u dha menjëherë alarmi dhe nisi operacioni i kërkim-shpëtimit.

Në vendngjarje mbërritën ekipet e urgjencës 118, zhytësit e Livornos të transportuar me helikopterin “Drago 127” nga reparti i fluturimit në Arezzo, si dhe karabinierët e Poggibonsit.

Për disa orë, ekipet e kërkimit kontrolluan lumin në përpjekje për ta gjetur të riun. Shpresa u shua rreth orës 19:00, kur zhytësit gjetën trupin e 33-vjeçarit pa shenja jete.

Ende nuk janë të qarta shkaqet e vdekjes. Dyshimet paraprake lidhen me një problem të papritur shëndetësor, një ndryshim të fortë temperature mes ujit dhe ajrit, ose me një vorbull nënujore që mund ta ketë tërhequr.

Sipas raportimeve, nuk është parashikuar për momentin kryerja e autopsisë, ndërsa pritet të mjaftojë ekzaminimi i jashtëm i trupit.

Vdekja e shqiptarit ka lënë në dhimbje familjarët dhe komunitetin lokal. Familja Musaraj është në gjendje të rënduar pas humbjes së 33-vjeçarit. Xhovalin Musaraj nuk ishte i martuar dhe la pas një vëlla. Prindërit e tij, me origjinë nga Treblova e Vlorës, kishin përjetuar edhe më parë një humbje të madhe, pasi vite më parë kishin humbur një tjetër djalë, vetëm 15 vjeç.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit