Një qytetare nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar, sipas saj, sjelljen e papërshtatshme të një efektiveje të Policisë Rrugore, e cila i vendosi bashkëshortit të saj një gjobë për mosvendosje të rripit të sigurimit, edhe pse ajo pretendon se rripi ishte i vendosur gjatë gjithë kohës.
Sipas denoncueses, ngjarja ka ndodhur pranë Poliklinikës nr. 9, në zonën e 21 Dhjetorit. Ajo tregon se efektivja i kërkoi bashkëshortit të saj të ndalonte mjetin dhe, sapo iu afrua dritares, i tha: "Kur u tregove kaq i shpejtë dhe shkove e vendose rripin?", duke pretenduar se rripi ishte vendosur vetëm pasi automjeti u ndal.
Qytetarja e kundërshton këtë pretendim, duke theksuar se bashkëshorti i saj e kishte vendosur rripin që në momentin kur ishin nisur nga parkimi i banesës.
"Nuk është problemi as për 50 apo 100 mijë lekë gjobë. Problemi është kur i bie në qafë një qytetari që është në rregull. Sot isha unë, nesër mund të jetë dikush që me ato para mban familjen për gjysmën e muajit", shprehet ajo në mesazhin e dërguar në redaksinë tonë.
Në videon e dërguar, denoncuesja pretendon gjithashtu se efektivja u soll me arrogancë gjatë komunikimit dhe se kishte një tendencë për të ndaluar automjete luksoze, duke pohuar se pas mjetit të tyre u ndaluan edhe disa makina të tjera të të njëjtit segment.
Ajo shton se, pasi e paralajmëroi efektiven se do ta denonconte rastin pranë JOQ Albania, në procesverbal, sipas saj, nuk u vendos emri i efektives që e ndaloi, por ai i një kolegu tjetër. Gjithashtu, pretendon se në fund i është thënë: "Do të pendoheni."
Qytetarja kërkon që rasti të verifikohet nga strukturat përgjegjëse dhe shprehet e gatshme të vërë në dispozicion të autoriteteve procesverbalin e gjobës. Ajo kërkon gjithashtu që, nëse është e mundur, të verifikohen kamerat e sigurisë në zonë, pasi, sipas saj, ato mund të tregojnë nëse drejtuesi i mjetit e kishte apo jo të vendosur rripin e sigurimit në momentin e ndalimit.
JOQ Albania publikon këtë denoncim në interes të transparencës dhe i bën thirrje Policisë së Shtetit të verifikojë pretendimet e ngritura nga qytetarja dhe të sqarojë rrethanat e këtij rasti.