Shqipëria po plaket, KLSH: qeveria pa plan!

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 08.07.2026, 16:27

Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ka ngritur shqetësimin se Shqipëria po hyn në një fazë të thellë plakjeje demografike pa pasur një strategji kombëtare të integruar për përballimin e pasojave. Sipas raportit, vendi nuk disponon një dokument të vetëm që të trajtojë në mënyrë të koordinuar plakjen e popullsisë, ndërsa politikat për punësimin, mbrojtjen sociale, shëndetësinë, rininë dhe migracionin mbeten të ndara dhe pa rezultate të matshme. Të dhënat demografike tregojnë një përkeqësim të vazhdueshëm: lindshmëria ka rënë me 72% që nga viti 1990, mosha mesatare e popullsisë është rritur nga 32.6 vjeç në 2011 në 44.3 vjeç në 2025, ndërsa shtesa natyrore e popullsisë është ulur me 88.3% nga viti 2015 deri në 2024.

KLSH evidenton se edhe instrumenti kryesor i qeverisë për nxitjen e lindjeve, bonusi i bebes, nuk ka sjellë ndryshim në trendin negativ të lindshmërisë. Sipas auditimit, kjo skemë “nuk ka pasur asnjë ndikim në ndryshimin e trendeve aktuale përsa i takon rritjes së numrit të lindjeve”, ndërkohë që financimi i saj ka rënë dhe numri i lindjeve ka arritur nivelin më të ulët historik në vitin 2024. Raporti thekson gjithashtu se familjet me fëmijë përballen me rrezik varfërie prej 24.8%, krahasuar me 10.5% për familjet pa fëmijë, duke treguar se kostot e rritjes së fëmijëve mbeten një barrë e madhe për familjet shqiptare.

Përveç rënies së lindjeve, auditimi paralajmëron rritjen e presionit mbi pensionet, shëndetësinë dhe shërbimet sociale, pasi 15.4% e popullsisë është aktualisht mbi 65 vjeç dhe kjo përqindje pritet të kalojë 25% deri në vitin 2050. KLSH vëren se 60% e të moshuarve jetojnë në zona rurale, ndërsa vetëm 38% përfitojnë shërbime sociale. Në të njëjtën kohë, rezultatet e programeve për të rinjtë, përfshirë Garancinë Rinore, nuk publikohen në mënyrë të plotë për qytetarët, duke ndikuar në transparencën dhe besimin ndaj politikave publike. Raporti ngre gjithashtu shqetësime për diferencën mes të dhënave të Censusit 2023 dhe statistikave të INSTAT, ku dy burime zyrtare japin një diferencë prej rreth 360 mijë banorësh, duke krijuar pasiguri mbi bazën e planifikimit demografik të vendit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit